Veliaj: 102 familje do të marrin shtëpitë para vitit të ri
Në lagjen e re ‘5 Maji’ ka përfunduar një tjetër pallat që do të akomodojë 102 familje, kryesisht të prekura nga shpronësimet për projektin e rindërtimit nga tërmeti.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se banorët do të hyjnë në apartamentet e reja të godinës18 përpara Vitit të Ri.
“Edhe banorët, që i kanë pasur shtëpitë informale, këtu do të marrin një pronë shumë herë më dinjitoze, me parkim nëntokësor. Më vjen mirë që, për rreth 200 familje të dëmtuara nga tërmeti, u është zgjidhur halli i shtëpisë dhe sot kanë një strehë shumë herë më dinjitoze mbi kokë”.
Sipas Kryebashkiakut Veliaj nëse projektet nuk do të bllokoheshin nga politika, puna me rindërtimin do të kishte përfunduar edhe në Kombinat.
“Edhe në Kombinat kanë mbaruar 10 godina dhe do të fillojmë me futjen e banorëve. Ata që bënin propagandë dhe mbjellje të urrejtjes e mosbesimit ndaj shtetit, qeverisë dhe bashkisë, sot janë zhdukur. Ne jemi prapë këtu për ta mbajtur premtimin dhe për ta çuar deri në fund. Kjo është arsyeja pse “5 Maji” eci më shpejt, se këtu banorët nuk lejuan që të futej fryma e përçarjes nga partiçkat e vogla, që sot po zhduken”.
Veliaj tha po ashtu se në të dy lagjet e rindërtuara do të transferohen disa ndërtesa publike dhe institucione kulturore.
Tv Klan