Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Njësia e menaxhimit të emergjencës e ngritur në fillim të ardhjes së fluksit të refugjatëve kosovarë në Shqipëri, përfundon zyrtarisht funksionin e saj. Këtë e ka konfirmuar sot numri 1 i kësaj njësie Kastriot Islami, i cili ka përmbledhur dhe punën disamujore të grupit të menaxhimit të emergjencës.

Që prej krijimit të saj më 26 Mars të këtij viti kjo njësi ka kordinuar e ndihmuar katër fazat e emergjencës, pritjen e refugjatëve, sistemimin, riatdhesimin dhe rehabilitimin e zonave të prekura nga refugjatët. Faza e fundit e emergjencës menaxhuar nga ky grup ka kosistuar në meremetimin e vendqëndrimit të të ardhurve nga Kosova. Kështu grupi i menaxhimit të emergjencës ka përcaktuar 329 projekte të cilat shojnë rreth 36 milion dollarë.

Islami ka falenderuar sot të gjithë donatorët që ndihmuan në menaxhimin e krizës, si Organizatën Humanitare të Komunitetit Europian, NATO-n, UNHCR-në e të tjerë. Me 31 Dhjetor grupi i menaxhimit të emergjencës do të përfundojë veprimet dhe do t’i dorëzojë Kryeministrit Meta raportin e tij përfundimtar./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego