Mbyllen Lojërat Olimpike Speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara që u zhvilluan për tre ditë në qendrën Don Bosko.

Këto lojëra mblodhën fëmijë nga shumë rrethe të vendit. I gjithë aktiviteti u financua nga fondacioni Vodafone Albania, drejtori i së cilit u shpreh se këto lojëra do të organizohen edhe në vitet e ardhshme për t’u kthyer kështu në një traditë.

Harris Broumidis: “Këto lojëra kanë përçuar kudo mesazhin se nuk ka pengesa që nuk mund të kalohen. Secili prej jush ka konkurruar më së pari me pasionin e tij dhe dëshira për të fituar ishte po aq e madhe sa edhe dëshira e çdo atleti tjetër kudo në botë. Na keni bërë të ndihemi krenarë. Jeni të gjithë fitues me pjesëmarrjen tuaj në këtë aktivitet. E gjithë kjo eksperiencë si edhe shpirti i garës do t’ju shoqërojnë në të ardhmen. Kur bashkohemi të gjithë në aktivitete sportive, kulturore e sociale si këto lojëra kuptojmë se sa shumë kemi nevojë për njëri-tjetrin.”

Lojërat Olimpike Speciale kishin për qëllim të kontribuojnë në krijimin e mundësive të barabarta për fëmijët më aftësi të kufizuara duke përfaqësuar një festim për jetën dhe shpresën./tvklan.al