13:15 – Ka përfunduar protesta e 28 Marsit e Opozitës së Bashkuara para Kuvendit, e cila zgjati rreth 3 orë. Protesta u shoqërua me tension dhe përplasje të herëpashershme mes protestuesve dhe forcave të Rendit. Protesta nisi para Kuvendit për t’u zhvendosur para Minsitrisë së Brendshme dhe për t’u mbyllur me mbledhjen e protestuesve para Selisë së Partisë Demokratike.
Në fjalën përmbyllëse, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përsëriti se nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.
“
Sot në këtë protestë, me pjesëmarrjen dhe qëndresën tuaj, keni bërë të dëgjohet zëri i shumicës absolute të shqiptarëve, që ka një të qartë dhe të parevokueshëm, Rama ik! Orët e kësaj bande po numërohen mbrapsht me çdo bashkim të jashtëzakonshëm proteste si ky i sotmi. Kush nuk e ka dëgjuar, kush nuk e kuptuar lë ta kuptojë, zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo betejë ka nisur për të çliruar Shqipërinë nga historia e krimit dhe korrupsionit me të thellë që ka njohur Shqipëria në 30 vjet dhe nuk do të ndalet pa e bërë këtë realitet.
”
Basha tha se të gjithë i kemi një borxh Shqipërisë. “
Ndaj zotohem sot para jush, nuk ka forcë mbi tokë t’ju tradhtojë ju, ta tradhtojë këtë lëvizje për liri dhe demokraci të standardeve evropiane dhe do të bëhet realitet verdikti juaj për Shqipërinë si gjithë Europa.
”
Basha tha se ora e drejtësisë po afron dhe “
këtë orë e dimë që betejën që bashkë kemi nisur do ta përfundojmë bashkë, por bregu ku do të dalë kjo anije kombëtare e shpresës nuk do t’i pranojë kurrë gabimet e së kaluarës.
”
12:40-Protestuesit e mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sulmojnë me bojë të zezë muret dhe dritaret e Ministrisë së Brendshme.
12:10-Protestuesit largohen nga përpara Kuvendit për ta vazhduar protestën e tyre para Ministrisë së Brendshme, ku kërkojnë lirimin e protestuesve të arrestuar.
12:02-Konfrontim fizik mes punonjësve të rendit dhe protestuesve, të cilët tentojnë të çajnë kordonin e policisë për të shkuar drejt Kuvendit. Vazhdimisht dëgjohen shashka.
11:37-Kryetari i PD, Lulzim Basha:
Mirë se keni ardhur në këtë asamble të vërtetë të Kushtetutës, ligjit, në parlamentin e vetëm që njoh unë dhe opozita e bashkuar, në parlamentin e vetëm të popullit.
Përballë nesh dhe pas radhëve të policisë ndodhet banda më famëkeqe e hajdutëve që ka njohur historia e Shqipërisë, me në krye Maduron e Ballkanit.
Për 6 vite me radhë kjo bandë kriminale vodhi dhe grabiti qytetarët, rriti çmimin e ujit, çmimin e naftës, dërgoi qindra mijëra njerëz drejt dëshpërimit të kurbetit.
Këtu në këtë protestë janë bashkuar hallet e panumërta të shqiptarëve. Sot ju them se këtu nuk janë bashkuar vetëm hallet, por edhe shpresa e zgjidhja për të nesërmen që po vjen.
Studentëve dua t’ju them sot se ai që ju mashtroi është tashmë i larguar. Nuk ka tel me gjemba që e mban vrullin popullor për ndryshim. Ndryshimi ka nisur, nuk do të kthehet mbrapsht. Rama ik!
Rama pak ditë më parë në mitingun më të turpshëm që nga koha e Ramiz Alisë kërcënoi popullin me luftë. Ta dish që populli do të përgjigjet sy për sy dhe dhëmb për dhëmb. S’ka shanse që populli të lodhet, orët tuaja në atë karrige janë të numëruara.
Nëse nuk ka zgjidhje politike, monopoli i parë që do të shembet është monopoli i dhunës shtetërore ndaj popullit. Bashkë me këtë monopol do t’u vijë fundi të gjithë monopoleve të tjera. Mjerë ata shërbëtor të Edi Ramës që i kanë bërë llogaritë gabim. Ora e hakmarrjes popullore po afron. Kurrë më nuk do të pranojmë një demokraci fasadë, siç nuk pranuam një parlament fasadë.
Përballë kemi kriminelët që fshihen pas një grushti të policisë, por ne jemi ushtria e njerëzve të lirë, ju jeni ushtria më e madhe e lirisë që ka para ndonjëherë ky vend. Bashkimi dhe guximi janë armët tona, lufta për të drejtat e fëmijëve tanë është mburoja jonë, besimi tek Shqipëria që do të bëhet si gjithë Europa është frymëzimi ynë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti e bekoftë ushtrinë kombëtare të lirisë, paqes, demokracisë dhe shpresës. Fitore!
11:17-Përplasje mes protestuesve të opozitës dhe forcave të policisë të vendosura para Parlamentit. Protestuesit tentojnë të çajnë kordonin e policisë, hedhin shashka dhe tymuese, ndërkohë që përfaqësues të opozitës vazhdojnë të mbajnë fjalime.
10:30-Ish-deputetë të Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe banorë të zonës së Astirit mbajnë fjalime para protestuesve nën zhurmën e shashkave dhe tymueseve. Në parlament, vijon normalisht puna me seancën plenare.
10:20-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u bashkohet protestuesve para parlamentit. Nën zhurmën e shashkave, protestuesit shtyhen dhe përplasen me forcat e rendit para Kuvendit.
10:10-Në seancën plenare të kësaj të enjteje u betuan edhe dy deputetë të rinj nga radhët e kandidatëve të opozitës. Kështu, kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi zëvendësoi Agron Shehajn, deputetin e dorëhequr të Partisë Demokratike në Vlorë. Arben Elezi ulet në karrigen e lënë bosh nga Edmond Spaho nga Qarkun e Elbasanit. Ambra Borova, e cila do të merrte mandatin e Agron Çelës në Shkodër, nuk ishte e pranishme në seancën ku parashikohej të bënte betimin.
10:00-Banorët e Astirit u përplasën me forcat e policisë para Ministrisë së Brendshme, ku Ministri Sandër Lleshaj përgatitej të priste në takim Ministrin e Brendshëm të Holandës që po viziton Shqipërinë.
/tvklan.al