Veliaj: Parku i Kopshtit Botanik do kthehet në një atraksion në kryeqytet

Një tjetër investim i ri infrastrukturor do t’i vijë në ndihmë banorëve të Selitës së vjetër në kryeqytet. Bëhet fjalë për rrugën “Haxhi Brari”, punimet e së cilës u inspektuan pas përfundimit nga kryebashkiaku Veliaj.

“Do të jetë një ndër rrugët që jo vetëm do të ndihmojë komunitetin, si të Tiranës qytet, pra të gjithë ndërtimeve të reja në zonën e Kopshtit Zoologjik e Botanik, po ashtu edhe do e lidhë me Tiranën rurale”.

Transformimi i Parkut Botanik dhe atij Zoologjik janë për Bashkinë e Tiranës investimi i radhës, që sipas Veliajt, do e kthejnë këtë zonë në një ndër më tërheqëset në kryeqytet.

“Me një biletë do të shëtitet e të shijohen të dyja hapësirat. Projektin do e ndajmë në disa faza. Faza e parë do jetë Kopshti i vjetër Zoologjik, e më pas do të vazhdojmë me Kopshtin Botanik”.

Veliaj paralajmëroi se pas realizimit të këtij investimi, Bashkia e Tiranës do të nënshkruajë një marrëveshje me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku studentët do kenë edhe më shumë mundësi për të realizuar praktikat e tyre mësimore.

Tv Klan