Inspektimi i parë i Kryebashkiakut Erion Veliaj pas zgjedhjeve të 30 qershorit ishte në Bulevardin e Ri, ku janë mbyllur punimet për segmentin e fundit. Sipas Veliajt, me përfundimin e segmentit të tretë të bulevardit, i hapet rrugë realizimit të projektit për sheshin fundor, i ngjashëm me atë “Nënë Tereza”.

“Jam shumë i kënaqur që pas zgjedhjeve i rikthehemi punës normale, iu rikthehemi kantierëve të qytetit tonë. Më vjen mirë që tani jemi gati vetëm për sheshin monumental, që duam të bëjmë në fund të bulevardit dhe mezi pres të shqyrtojmë 10-15 aplikimet e para që na kanë ardhur për zhvillime. Dua të falenderoj kolegët tanë nga Fondi i Abu Dhabit që besuan tek ne. Më kujtohen ditët e para të hezitimit, por fakti që patën besim, që i dhanë një shans të dytë administratës së re, që të rikuperonim kohën e humbur, më bën të ndihem shumë krenar”, u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj tha se në mandatin e dytë zhvillimi i kryeqytetit do të jetë i fokusuar jashtë unazës.

 “Ajo që parashikoj në 4 vitet e mandatit të dytë është shumica e zhvillimit që Tirana do të shohë do të jetë jashtë Unazës origjinale të saj, kryesisht në zonën e Bulevardit të Ri. Shpresoj shumë që këtu do të rritet standardi, jo vetëm i cilësisë, por edhe i jetës komunitare, ku besoj të gjithë do biem dakord që aty ku ka ardhur zhvillimi, nuk ka ardhur fatkeqësia, por një mundësi fantastike. Të gjitha familjet që do të zhvillohen, të gjithë ata që do të begatohen dhe pasurohen prej këtyre investimeve, besoj se do ia shohin hajrin gjithë asaj pune që është bërë”, shpjegoi Kryebashkiaku Veliaj.

Gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve, Drejtori i Financave të Fondit për Zhvillim i Abu-Dhabit tha se përfundimi këtij projekti do të sjellë zhvillim në Tiranë.

Tv Klan