Çelësat ia dorëzoi familjes Kryebashkiaku Veliaj

Mbi gërmadhat që la pas tërmeti i 26 Nëntorit tashmë ngrihet banesa e re e familjes Sala. Ishte këngëtarja me famë botërore Rita Ora që zgjodhi familjen me 6 anëtarë nga fshati Pinar i Tiranës për t’ju rindërtuar shtëpinë. Çelësat e saj ua dorëzoi Kryebashkiaku Veliaj dhe kushërira e Rita Orës, Amantia.

“Këto ditë kemi qenë me kryeministrin për hapjen e shtëpive të reja që u rindërtuan pas tërmetit, por nuk i bën dot shteti gjithçka. Edhe në Angli, edhe në Amerikë shteti bën aq sa ka takat, por ama secili bën diçka shtesë. Vetëm ideja që Rita ka njëqind koncerte e gjëra, por i vajti mendja dhe tha: Nuk i bëj dot të gjitha, por një shtëpi do ta bëj, një njeri do ta ndihmojmë”.

Veliaj tha se kur janë të bashkuar shqiptarët kanë treguar se mund të bëjnë punë të mira.

“Për çfarë zihemi dhe urrehemi?! Kishim një vit, ziheshim të bënim një copë rrugë aty tek Astiri. Ore, ti po merr lekët, po të japim një shtëpi, po të kompensojmë që të bëjmë rrugën… Edhe për Teatrin pyes: Ore, për çfarë zihemi? Një ditë jemi, një ditë jo, vjen tërmeti e shuhet gjithçka”.

Ndërkohë në Tiranë vijon puna për ndërtimin e 3 lagjeve të reja ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Tv Klan