Në redaksinë e emisionit “Stop” është drejtuar këtë të premte një vajzë e re, e cila pasi ka përfunduar studimet Bachelor për Gazetari dhe Gjuhë Angleze në Elbasan, ka ndjekur Masterin Shkencor për mësuesi të gjuhës angleze në Tiranë. Pasi i ka përfunduar të dy ciklet e studimeve, ka marrë përgjigje negative për praktikën nga ana e ZVA Elbasan. Sot vajza nuk futet dot në provimin e shtetit, duke i çuar dëm 5 vjet.

“Pasi përfundova gjimnazin vendosa që bachelorin ta ndjek në degë Gazetari-Anglisht pasi mendova që është një mundësi e mirë punësimi në të dyja degët. Në përfundim të Bachelorit e gjeja veten tek pjesa e anglishtes dhe vendosa të vazhdoj Masterin për Gjuhë Angleze. Kur aplikova në Tiranë nuk më nxorrën probleme dhe ndoqa programin dyvjeçar Master Shkencor. Pasi u diplomova në Korrik të vitit të kaluar, mësuesia duhet të ndjekë edhe një vit stazh, dmth praktikë profesionale. Kur dorëzova letrën për të vazhduar praktikën në një nga gjimnazet e Elbasanit, ZVA Elbasan më thotë që nuk mund ta kryesh praktikën pasi nuk lejohesh të futesh në licencë duke qenë se bachelori që kam ndjekur është Gazetari dhe Gjuhë Angleze dhe QSHA nuk ka një provim që të jetë e gazetarisë dhe gjuhës angleze”, tha ajo.

“Një specialist më ka kërkuar dokumente nga shkolla. Kam qenë në kontakt me të dhe në fund të Marsit ky zotëria më tha që ka përgatitur një shkresë dhe ti je me të drejtën tënde dhe ligji nuk ka të drejtë që të ndalojë të marrësh licencën. Kjo shkresa ka që në Mars që nuk më firmoset nga Sekretari i Përgjithshëm, të paktën sa më thonë në ministri”, shprehet e reja.

Dekani i universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan shprehet se studentja e degës Gazetari dhe Gjuhë Angleze ka mundësi të marrë drejtimin që dëshiron.

Dekani: Në qoftë se ke mbaruar “Gazetari dhe Anglisht”, mund të punosh në Gazetari. Kuptohet ky është niveli Bachelor, nuk të jep profesion, formim i përgjithshëm si me thënë. Gjithashtu dhe në Anglisht, ai merr formim të përgjithshëm në Anglisht. Veçse çdo Universitet tani në nivel Master, vendos kriteret  e veta. Në qoftë se masa e krediteve të fituara nga studenti te ne në Bachelor, atij i mjafton për të filluar Masterin Profesional, ai mund ta pranojë dhe do diplomohet. E ka pranuar Fakulteti i Tiranës, i Gjuhëve të Huaja, që diplomon edhe për gjuhë të huaj dhe për mësuesi. Në qoftë se fakulteti e ka pranuar, vajza është në rregull duhet të punojë si mësuese.

Edhe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Tiranës, thonë se nuk kanë gabuar që e kanë përzgjedhur vajzën, por nuk dinë të thonë, sesi është interpretuar nga instancat e tjera.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja: Kjo nuk është se Fakulteti i Gjuhëve të Huaja ka bërë shkelje, absolutisht. Por sesi interpretohet nga instancat e tjera, kjo është një gjë, që ne nuk jemi gabim, që të kemi përzgjedhur. Përderisa ti ke marrë një numër matrikulimi, nuk është se ke dalë nga hiçi. Kështu që fakulteti dhe Universiteti i Tiranës ka bërë një punë, ashtu siç është vlerësuar nga një komision. Për këtë dosje, ke patur mesataren përkatëse, ke ndjekur studimet dhe Universiteti këtu, për procedurat ligjore është në rregull. Më kupton?!/tvklan.al