Ka përfunduar takimi i Ministres së Arsimit Evis Kushi me pedagogët në lidhje me kërkesat që ata kanë. Në një prononcim për mediat, pedagogu Sandër Kovaçi është shprehur se është rënë në dakordësi me ministren Kushi për disa pika të kërkesave të tyre që janë në varësi të saj.

Kovaçi ka shtuar se nuk është arritur në një dakordësi për rritjen e pagave të pedagogëve teksa ka thënë se protesta e planifikuar në 5 Tetor nuk do të anulohet.

Sandër Kovaçi: Ministria e Arsimit dhe ministrja dha premtime për pjesën e kërkesave që janë në varësi të saj që janë 3 deri në 4 kërkesa. Pastaj flasim për pikën 9, 8 dhe pikën 7 të draftit. Pavarësisht predespuzicionit të saj për të kontribuar për këtë zgjidhje, kemi këndvështrime të ndryshme për këtë çështje.

Ne kemi menduar në peticion që trajtimi financiar i profesioratit nuk është thjesht një çështje e rrogave, por se si të vendosim në prioritet zhvillimin e arsimit të lartë.

Kërkesat tona janë minimaliste, qeveria mendon se janë të ekzagjeruara. Jemi në pritje të një feedback-u për këto kërkesa me të cilat ramë dakord. Për rritjen e pagës nuk është arritur një dakordësi. Nuk mbeti gjë tjetër veçse të vazhdojmë në protesta. Protesta e 5 Tetorit nuk anulohet, vazhdon.

Ne jemi të vendosur për kërkesat kryesore të cilat janë thelbësore për mbarëvajtjen e arsimit. Kërkesat tona janë të paekzagjeruara, ekzagjerimi vjen nga perceptimi i vlerës së gabuar.

Më 5 Tetor në orën 11 protesta vijon do të jetë në trajtë tubimi. Do të jetë forum akademik që do të tregojnë pse profesiorati duhet vlerësuar./tvklan.al