Të martën në Bruksel u zhvillua raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ky është takimi i parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Procesi i bisedimeve që shënoi një rifillim në korrik të vitit të kaluar, u pezullua sërish për shkak të zgjedhjeve në Kosovë.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se “këto bisedime nuk do të jenë të lehta, por ky proces dhe angazhimi i sinqertë i të dyja palëve është i domosdoshëm për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”.

Para fillimit të bisedimeve ai tha se ky proces dhe rezultati i tij janë rruga drejt së ardhmes evropiane të të dyja palëve dhe se BE-ja është e angazhuar që të ketë një përparim të shpejtë në mënyrë që “të lëmë të kaluarën prapa dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për ta bërë ardhmërinë evropiane realitet”.

Zoti Borrell tha se mirëpret faktin se takimi po zhvillohet në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan, Joe Biden, i cili ndodhet në Bruksel.

Ai theksoi se ka një mundësi të re në Evropë për Ballkanin Perëndimor dhe duhet shfrytëzuar atë, ndërsa nënvizoi se “qëndrueshmëria afatgjatë dhe përparimi ekonomik do të rrezikoheshin pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian dhe është zotuar se nuk do ta njohë atë, duke kërkuar siç thuhet, një zgjidhje kompromisi, ndërsa Kosova e cilëson të panegociueshme pavarësinë e saj.

Diplomatët perëndimor janë vënë në përpjekje për të përshpejtuar procesin e bisedimeve me shpresë për një marrëveshje para vitit të ardhshëm kur Serbia mban zgjedhjet parlamentare e presidenciale, gjë që do të çonte në një pezullim të ri të procesit të filluar dhjetë vjet më parë nga të dyja vendet, që aspirojnë integrimet evropiane. Por, pak vëzhgues besojnë në një mundësi të tillë./VOA