Përfundon takimi me Kurtin, Vuçiç: Më pyeti se kur do ta njohim Kosovën, i thashë “kurrë”




Përfundon takimi me Kurtin, Vuçiç: Më pyeti se kur do ta njohim Kosovën, i thashë “kurrë”

12:42 15/06/2021

Është zhvilluar këtë të martë në Bruksel takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për vijimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në fund të takimit, presidenti serb ka pasur një komunikim për mediat.

Klan Kosova raporton se Vuçiç ka thënë se Kurti ka shkuar për ta pyetur se kur do të njihte pavarësinë e Kosovë dhe përgjigja e kreut të shtetit serb ka qenë “kurrë”. “Epo atëherë ai shpërtheu”, mësohet të ketë thënë Vuçiç sipas mediave kosovare.

Sipas Vuçiç, nga ana e Kosovës ka patur provokime. “Ai erdhi duke mos u pajtuar për asgjë”, është shprehur presidenti serb. Madje Vuçiç pretendon se delegacioni  i Kosovës, nuk dëshiron të përmbushë marrëveshjet e nënshkruara nga shqiptarët dhe nuk dëshiron të diskutojë mbi Asociacionin e Komunave Serbe.

“Ata pyetën urgjentisht dhe menjëherë për të dëgjuar se kur do ta njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe ata i quajtën incidente dhe provokime faktin se serbët duan të marrin pjesë në liturgji në kishat e tyre”, shtoi ai.

Megjithatë një lajm i mirë është fakti që palët kanë rënë dakord që të vazhdojnë dialogun në nivelin më të lartë deri në fund të Korrikut.

“Kjo është diçka që do të garantonte paqen për një periudhë më të gjatë, është e panevojshme të komentosh për gjithçka tjetër”, tha Vuçiç, i cili gjithashtu ka theksuar se Serbia ka përmbushur detyrimet që BE-ja kërkon prej saj.

Deri më tani nuk ka një komunikim nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Takimi i sotëm mes Kurtit dhe Vuçiç u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak./tvklan.al





Të ngjashme