Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti zhvilluan një takim këtë të martë për më shumë se 90 minuta. Dy krerët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës u takuan në vilën qeveritare 31 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Takimi nuk ka qenë i paralajmëruar. Ende nuk ka asnjë informacion se për çfarë është diskutuar mes Ramës dhe Kurtit. Gazetarja Klesiana Omeri ka mësuar se për çfarë është biseduar mes dy liderëve.

“Nga çfarë kemi mundur të mësojmë vetëm pak minuta pas mbledhjes është se në fokus të diskutimit ka qenë përveç çështjeve të tjera dy palëshe edhe porti i Durrësit i cili do të integrohet edhe me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe me Portin e Thatë në Prishtinë dhe gjithashtu kriza energjetike që duket se më së shumti po prek Kosovën duke qenë se edhe më parë ka pasur nevojë dhe ndihmë nga Shqipëria për të përballuar krizën energjetike”.

Kurti shoqërohej në këtë takim informal nga ministri i Financave të Kosovës. Në përfundim të takimit mes dy krerëve të qeverive nuk ka patur një njoftim për shtyp.

“Nuk ka pasur një deklaratë për mediat, madje nuk janë lejuar as të afrohen pranë vilës duke e bërë këtë takim informal, ende të pazbardhur, të paktën për mediat lidhur me detajet”, raportoi gazetarja.

Ndërkohë nuk janë parë në këtë takim ministra nga Shqipëria.

Siç mësohet nga mediat në Kosovë, Albin Kurti kishte një konferencë për shtyp në Prishtinë gjatë paradites dhe e ndërpreu në mes duke thënë se “duhej të largohej për një takim urgjent”.

Takimi vjen pak kohë para se Rama të mbajë një fjalë në Këshillin e Europës, të cilit parlamenti shqiptar i ka kërkuar që të ndryshojë rezolutën e Dik Martit të vitit 2011.

Pjesë e bisedës mendohet të kenë qenë edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe ecuria e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. /tvklan.al