Ndërtohen 7 urat, 13 kilometra hapen për qarkullim

Trembëdhjetë (13) vjet nga nisja e punimeve, Rruga e Kombit tashmë ka përfunduar tërësisht. Shtarë urat e larta në afërsi të qytetit të Kukësit deri te dogana e Morinës janë ndërtuar, punimet për të cilat ishin lënë në mes një dekadë më parë.

Ashtu si shumë kontrata të tjera të cilat kanë qenë të hapur prej vitesh në kantieret e rrugëve nëpër Shqipëri edhe kjo rrugë dorëzohet. Pra bëhet e kalueshme për automjetet duke filluar nga sot. Një rrugë sipas të gjitha parametrave europiane të sigurisë rrugore“, tha ministrja Belinda Balluku.

Ndërtimi i urave, siç njihet në gjuhën teknike “viadukte”, ishte një sfidë më vete për industrinë e ndërtimit, pasi vetëm për një viadukt me lartësi 46 metra është kërkuar ndërtimi i një vinçi të posaçëm, në mënyrë që të vendoseshin trarët.

“Janë 13 kilometra të cilat vihen në përdorim të gjithë mjeteve dhe përdoruesve të mjeteve që kalojnë në Rrugën e Kombit duke rritur sigurinë rrugore dhe duke rritur padiskutim dhe performancën e të gjithë kësaj vepre madhore e cila përbën Rrugën e Kombit”, u shpreh drejtoresha e ARRSH Sonila Qato.

Trembëdhjetë kilometrat e fundit të autostradës Shqipëri-Kosovë janë hapur për kalimin e automjeteve. Autostrada nisi ndërtimin e saj në vitin 2006, ndërsa disa vjet më vonë edhe Kosova nisi ndërtimin e pjesës së saj.

Gjatësia për pjesën shqiptare e këtij aksi është 114 kilometra, ndërsa në total shkon në 190 kilometra. Fatura për ndërtimin e saj e ka kaluar vlerën e 1 miliard Eurove për Shqipërinë, duke mbajtur dhe vendin e parë si vepra rrugore që ka kushtuar më shumë në historinë e Shqipërisë.

Tv Klan