Kreu i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana dha një deklaratë për mediat për përfundimin e zgjedhjeve për kryetarin e partisë. Gjana tha se në proces deri në orën 17:00 kanë marrë pjesë 13.700 votues.

Jemin Gjana: Presim të kemi një rezultat edhe më të  mirë se sa ai që ka shënuar ora 17:00 e pasdites  sepse  kemi të dhëna që tani në mbrëmje një pjesë e votuesve, një pjesë e anëtarëve të PD janë afruar për të votuar.

Gjana shtoi se nuk është pranuar asnjë votues pa katë identiteti për të shmangur parregullsitë.

Jemin Gjana: Nga të gjitha të dhënat që kemi përmes informacioneve, por edhe nga të dhënat që unë pashë në këto qendra votimi që unë vetë inspektova, ka patur një fluks jo të vogël individësh që kanë votuar dhe janë në lista të veçanta ku janë mbajtur identitetet, emër, mbiemër, numri i kartës së identitetit. Natyrisht kanë votuar individë që kanë patur kartat e identitetit. Nuk është pranuar kurrkush pa kartë identiteti sepse ka pasur tentativa të simpatizantëve që paraqiten me dëshirë për të votuar, por  për të mos e komplikuar dhe për të mos e përlyer procesin nuk është  lejuar askush nga këta. Është një numër realtivisht i lartë dhe nuk kemi të dhëna që është kthyer kush. Nuk është se janë ofruar për të votuar anëtarë të PD që në 2-3 muajt e fundit kanë votuar në subjekte të tjera, kanë bërë zgjedhje të tjera. Nuk e kam këtë të dhënë që të kenë ardhur, të kenë debatuar apo kërkuar me insistim që të votojnë.

Gjana shpjegoi se procesi i votimit ka vijuar njësoj si në rastin e zgjedhjeve që nëse në orën 19:00  ka individë që presin për të votuar, do të marrin pjesë në proces. Sa i përket anëtarësisë, ai tha se procesi u bazua në regjistrin elektronik të vitit 2021.

Jemin Gjana: I gjithë procesi i evidentitmit të anëtarësisë është bazuar në regjistrin elektronik të PD të vitit 2021. Nuk  bëhet fjalë për anëtarësime të mëvonshme sepse edhe me status, në çdo palë zgjedhje është e palejueshme që të anëtarësosh në 6 muajt e fundit sepse ka tendenca të kësaj natyre, qoftë edhe strukturat e bazës, qoftë edhe dikush që do të bëhet kryetar i seksionit e bën këtë  tendencë që të zgjedhë disa anëtarë të rinj, të bëjë disa anëtarësimë të reja që të garantojë vota të reja, prandaj edhe është e ndaluar. Nuk ka anëtarësime të reja./tvklan.al