Më 17 Shkurti të 2008-ës në Prishtinë bënte shumë ftohtë, por nuk ishte nga ai i ftohtë që të kyç brenda shtëpisë dhe që shumëkënd e bën të mendojë se asgjë nuk mund të krahasohet me ngrohtësinë e familjes. Në ditën e ftohtë të 17 Shkurtit ata i kishin lënë shtëpitë për të njohur nëpër rrugët e Kosovës me një feste të re që sillte ngazëllimin, pasi askush se kishte provuar më parë. Skishte shumë që Prishtina kishte lënë pas festën më të hareshme të botës, ndërrimin e viteve. E megjithatë, kjo ditë nuk kishte të krahasuar me të, ndoshta edhe sepse prej 10 vitesh Viti i Ri përcillte kujtimet e fillimvitit 1999 kur më 15 Janar terrori serb kulmoi me masakrën në fshatin Reçak. Vërtetë nga viti 2000 shqiptarët e Kosovës jetonin në një shtet autonom, por liria për të qenë bashkë nëpër rrugët e vendit të tyre si një familje e madhe që ne e quajmë komb, s’kish qenë kurrë më e përligjur se më 17 Shkurt. Kosova ishte një shtet i pavarur. Më 17 Shkurt të 2008-ës Kosova u bë shteti i fundit i ish Jugosllavisë që përfitonte përfundimisht pavarësinë nga Serbia, edhe pse në vitin 1981 shqiptarët e Kosovës qenë të parët që u bashkuan në kryengritje për të fituar statusin e Republikës Kostitucionale. Momenti më domethënës i historisë jo vetëm mbërriti me vonesë, por duhej paraprirë në mënyrën më diskrete të mundshme.

11 vite pas shpalljes së pavarësisë Abelard Tahiri, Ministri i Drejtësisë në Kosovë në një intervistë për emisionin “Jo vetëm modë” në Tv Klan, kujton përgatitjet para se të shpallej pavarësia.

“Ka qenë stres dhe angazhim shumë i madh për faktin se shumë pak njerëz e dinin datën se kur do të shpallej pavarësia e Kosovës. Në atë kohë unë shërbeja si asistent personal i kryeministrit Thaçi dhe mbaj mend që shikonim përgatitjet e mëdhaja, por data duhej të mbahej sekrete dhe të mos konfirmohej as dita dhe as ora se kur do të ndodhte. Ky ishte një koordinim i ngushtë me SHBA-në. Shpallja e pavarësisë nxiti një reagim shumë të ashpër në Serbi dhe kjo ishte edhe arsyeja se përse po mbahej kaq diskrete data. Përgatitjet për ditën e pavarësisë nisën në mesin e muajit Janar e deri më 17 Shkurt të 2008-ës. Në javën e fundit kemi punuar më shumë se 17 orë në ditë. Kujtoj që dita kur u shpall pavarësia ka qenë e dielë dhe e gjithë java më pas ka qenë shumë e ngarkuar. Pergamena që zgjodhëm për të nënshkruar dekretin u bë dhuratë nga Britania e Madhe”,

tregoi Tahiri.

Flamuri i Kosovës u diznjua nga Muhamer Ibrahimi dhe ndërthur 3 simbolika, harta e artë që përcakton siluetën e trojeve të pasura të Kosovës, sfondi blu si ai i flamurit të Bashkimit Europian dhe 6 yje të bardhë që përfaqësojnë grupimet etnike që jetojnë në Kosovë. Nga ana tjetër yjet shpesh përkthehen si simbolikë e 6 shteteve ku ka popullsi autoktone shqiptare si Shqipëria, Greqia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.

/tvklan.al