Disa ekipe po stërviten, të tjerë po përgatiten për rinisjen

Në Europë po përpiqen të hedhin hapa drejt rikthimit të futbollit, por duan të jenë të sigurtë. Në Itali skuadrat nga e hëna do të kenë të drejtë të autorizojnë lojtarët të rinisin stërvitjen, por individualisht. Emilia-Romagna ishte krahina e parë që dha autorizimin e ndjekur më pas nga Campania, Lazio apo Sardegna, siç shkuajnë mediat.

Një hap përpara bëri dhe Ministria e Brendshme që aprovoi stërvitjet individuale. Në Angli ku disa skuadra po stërviten klubet duan të luajnë ndeshjet e mbetura me dyer të mbyllura. Është hedhur ideja që të zhvillohen vetëm në disa stadiume që janë larg qendrave të banuara, por ka zëra kundër si ekipi i Brighton.

Në Spanjë pritet që të rinisin stërvitjet nga 11 Maji. Fazat do të jenë graduale nga stërvitjet veçmas për secilin futbollist, e deri te përgatitjet në grup. Stafi teknik do të mbajë maskë. Në Gjermani ku ekipet po stërviten prej kohësh, ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, e përkrah idenë që të luhet me dyer të mbyllura. Por mendon se në rast se një futbollist do të rezultonte pozitiv, ekipi duhet të shkojë në karantinë, ndoshta edhe ai kundërshtar që ka luajtur në fund.

Te Koln u lajmërua se 3 pjesëtarë të ekipit u gjetën pozitivë, por klubi nuk do ta ndalë stërvitjet. Më 6 Maj do të qartësohet se do të ketë një miratim për nisje të Bundesligës nga qeveria. Franca e ka mbyllur këtë sezon, duke shpallur dhe renditjen përfundimtare me ekipin kampion Paris Sanit Germain, skuadrat që do të luajnë në Europë dhe ato që do të zbresin nga katergoria. Kundërshtime ka patur nga disa klube, Lyon, Toulouse dhe Amiens.

Tv Klan