Konflikti i kahershëm mes izraelitëve dhe palestinezëve ka regjistruar 6 viktima në përplasjen e fundit në lindje të Jeruzalemit.

Pas vrasjes së 3 palestinezëve, nga forcat e policisë gjatë përleshjeve të së premtes, 3 izraelitë u qëlluan për vdekje me thikë. Shtrëngimi i masave nga autoritetet izraelite për vendosjen e detektorëve të metalit pranë xhamive, ka nxitur protesta masive.

Mbi 390 palestinezë mbetën të lënduar nga përleshjet me policinë. Forcat e rendit përdorën plumba gome dhe gaz lotsjellës për sprapsjen e turmës.

Përgjakja e protestave ka ngjallur reagimin e presidentit palestinez, Mahmud Abbas, i cili njoftoi ngrirjen e marrëdhënieve me Izraelin.

Policia sqaron se vendosja e detektorëve të metalit u bë pasi ritet fetare shfrytëzohen për sulmin e agjentëve dhe civilëve izraelitë. Rreth 50 agjentë policie dhe turistë janë vrarë në dy vitet e fundit nga këto sulme.

Tv Klan