Dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur, në dy aksidente të ndryshme rrugore të ndodhur këtë mëngjes.

Aksidenti i parë u regjistrua në aksin rrugor Pogradec – Korçë, në fshatin Leshnicë.

Fabiola Qendraj, 23 – vjeç, drejtuese e mjetit tip benz, me targa AA 282 MG, ka gjetur vdekjen e menjëherëshme pas daljes së mjetit nga rruga.

I plagosur ka mbetur 29 – vjeçari me inicialet E. M.

Sipas policisë, mjeti rezulton në pronësi të këtij të fundit dhe ia kishte dhënë për ta drejtuar 23 – vjeçares Qendraj.

Shkak i aksidentit, sipas policisë, është bërë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte mjeti, si dhe lagështia në rrugë, për shkak të reshjeve të shiut.

Me të njëjtën dinamikë të daljes së mjetit nga rruga, ka ndodhur dhe aksidenti tjetër, në fshatin Myhajan të Tropojës. Sipas policisë ka humbur jetën Sheqere Memia, ndërsa kanë mbetur të plagosur Ahmet Ukshini dhe Valbona Memia.

Të plagosurit janë në gjendje të rëndë për jetën dhe pritet të nisen për mjekim të specializuar drejt Tiranës.

Tv Klan