Të paktën 6 të vrarë është bilanci tragjik i të shtënave me armë që ndodhën këtë të hënë në paradën e 4 Korrikut, për ditën e Pavarësisë në Illinois të SHBA. Parada që po zhvillohej në Highland Park, u ndërpre papritur 10 minuta pasi kishte nisur, kur u dëgjuan disa të shtëna armësh.

Autoritetet e qytetit thanë se të paktën 26 persona të tjerë ndodheshin në spital. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes thanë se kishin parë disa persona të gjakosur, ndërsa ishin dëgjuar rreth 20-25 të shtëna.

Festimet aktualisht janë pezulluar ndërsa zyrtarët apeluan që banorët të evitonin zonën. Pamjet e publikuara në rrjete sociale tregojnë për shërbime të shumta të emergjencës në vendin e ngjarjes.

Deri më tani nuk janë të qarta shkaqet dhe nuk dihet as identiteti i autorit. Zyrtarët thanë se po kërkojnë për një të ri, rreth 18-20 vjeç, i konsideruar i armatosur dhe i rrezikshëm./tvklan.al