NGJARJA NË ELBASAN, ÇFARË DIHET DERI MË TANI

-Ngjarja rreth orës 14:00, në lagjen “5 Maji”

-I vrarë: Pjerin Xhuvani, 56 vjeç, ish-kryetar i LSI së Elbasanit

-Të plagosur: Emiljan Prenga 39 vjeç; Pavlo Vuksani  50 vjeç; Eltjon Bodinaku  32 vjeç; Xhensila Sota  27 vjeçe (punonjëse e policisë). Mbeti e plagosur në këmbë. Të gjithë të plagosurit ndodhen në spital. Mes tyre është edhe dhëndri i viktimës, Eltjon Bodinaku.

-Autor i ngjarjes: Arbër Papleka, i vetëdorëzuar në polici pak kohë pas ngjarjes. Në dëshminë paraprake tha se kishte hapur zjarr për vetëmbrojtje. Për ngjarjen janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilët po merren në pyetje nëse kanë dijeni për ngjarjen.

Autori: Arbër Paplekaj

Dinamika e ngjarjes. Makina ku udhëtonin Pjerin Xhuvani, dhëndri i tij Elton Bodinaku dhe Kelmend Xhaferri është ndaluar nga 3 furgona që drejtoheshin nga disa persona, pjesë e shtabit të Partisë Demokratike. Dyshimet ishin se Xhuvani dhe të tjerët shpërndanin para dhe blinin karta identiteti nga qytetarët. Ndërsa ishin në pritje të policisë, mes palëve janë ndezur gjakrat dhe kanë nxjerrë armët.

-Kush ishte Pjerin Xhuvani. Më 14 mars ai u përfshi në incidentin mes simpatizantëve të PS dhe PD në Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit. Në këtë rast, opozita e akuzoi se ai ishte pjesë e mbështetësve socialistë. Xhuvani ka qenë drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan ndërsa ishte edhe kandidat i kësaj force politike për deputet. Ai u largua nga kjo parti pasi u arrestua në vitin 2015 për abuzim me barnat.  Në atë kohë ai u ndalua teksa mbante postin e drejtorit te fondit të kujdesit shëndetësor për Tiranën. Ai u dënua fillimisht me 3 vite burg, por më pas u lirua me kusht në korrik të vitit 2016. Pjerin Xhuvani u dënua për skandalin e abuzimit me rimbursimin e barnave.

Pjerin Xhuvani, viktima

-Gazmend Bardhi dhe Luçiano Boçi shoqërohen në komisariat për të dëshmuar. Në një prononcim të shkurtër për mediat Bardhi tha se ngjarja lidhet me “shtabin e vetëm elektoral të Taulant Ballës”. “Janë një grup personash, shtabi i vetëm elektoral i Taulant Ballës”.

-Presidenti Ilir Meta ka shprehur keqardhjen për ngjarjen e ndodhur në Elbasan këtë të mërkurë ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani. Ai u shpreh nga Vlora se nuk duhet të ketë asnjë lloj konflikti, megjithatë sipas tij, ato i krijon vetëm një njeri, duke nënkuptuar kryeministrin Edi Rama.

-Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit për PS-në, Taulant Balla, deklaroi para mediave se në qytetin e Elbasanit kanë mbërritur furgona të PD-së me paramilitarë të armatosur. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve ndërkohë që dënoi gjuhën e përdorur nga kundërshtari i tij politik në Elbasan, Gazment Bardhi, që sipas Ballës përdhosi viktimën Pjerin Xhuvani disa metra larg trupit të pajetë të tij.

Reagon Ambasada Amerikane. Ajo u bën thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen. Ambasadorja Kim i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë, ndërsa çështja është duke u hetuar. Ambasada Amerikane thotë se do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër.

Reagon Kryeministri Edi Rama. Në një postim në Twitter, ai shkruan se “dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 Prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona!

-Reagon delegacioni i BE-së. Akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale.

Lulzim Basha nga Durrësi teksa po zhvillonte një takim elektoral tha se asnjë bandë apo shitblerje votash nuk do ta ndalë ndryshimin që po vjen. Ai u shpreh se PD-ja e refuzon dhunën, por shtoi se demokratët do ta mbrojnë demokracinë me çdo çmim. “Nuk ka forcë ta ndalë, nuk ka banda ta ndalin, nuk ka korrupsion ta ndalë, nuk ka shitblerje votash ta ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim”.

ORA 14:15Vritet Pjerin Xhuvani dhe plagosen 4 të tjerë

Një ngjarje e rëndë ndodhi këtë të mërkurë në Elbasan. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka humbur jetën 56-vjeçari Pjerin Xhuvani. Ai mbeti viktimë pas një përplasje mes disa personave në lagjen ‘5 Maji’ të qytetit.

Policia njoftoi se nga ngjarja kanë mbetur të plagosur 4 persona. Të plagosurit janë Emiljan Prenga, 39 vjeç; Pavlo Vuksani, 50 vjeç; Eltjon Bodinaku, 32 vjeç dhe Xhensila Sota, 27 vjeçe punonjëse e policisë. Kjo e fundit ka marrë një plumb në këmbë. Dy prej të plagosurve u transportuan drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Vendi ku ka ndodhur ngjarja

Autori i kësaj ngjarjeje të rëndë është Arbër Papleka, i cili është vetëdorëzuar në polici. Ky i fundit ka treguar para hetuesve në dëshminë e parë se ka qëlluar për vetëmbrojtje. Papleka ka qenë pjesë e forcave RENEA dhe është larguar pak kohë më parë nga këto struktura. “Ne shkuam për t’i ndaluar se morëm një denoncim që një makinë shpërndante para. Shkuam për t’i ndaluar, por ata qëlluan me armë zjarri ndaj nesh,” ka thënë ai.

Për ngjarjen janë shoqëruar edhe disa persona të tjerë, të cilët po merren në pyetje nëse kanë dijeni apo lidhje me këtë ngjarje.

Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se gjithçka nisi kur makina ku udhëtonin Pjerin Xhuvani, dhëndri i tij Elton Bodinaku dhe Kelmend Xhaferri u ndalua nga 3 furgona që drejtoheshin nga disa persona, pjesë e shtabit të Partisë Demokratike. Dyshimet ishin se Xhuvani dhe të tjerët shpërndanin para dhe blinin karta identiteti nga qytetarët. Ndërsa ishin në pritje të policisë, mes palëve janë ndezur gjakrat dhe kanë nxjerrë armët.

Në kërkim është shpallur edhe Kelmend Xhaferri, që dyshohet se ka qëlluar me armë duke lënë të plagosur Pavlo Vuksanin dhe Emiljano Prengën.

Kush është Pjerin Xhuvani? Viktima e ngjarjes së sotme është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, pasi ka pasur një angazhim në politikë vitet e fundit. Emri i Pjerin Xhuvanit u denoncua nga Partia Demokratike, se kishte marrë pjesë në përplasjen që ndodhi mes simpatizantëve të PD-së dhe PS-së Ditën e Verës në Elbasan dhe e akuzonin 56-vjeçarin si mbështetës të PS-së.

Më herët, në vitin 2013, Xhuvani ka qenë pjesë e LSI-së dhe kandidat i kësaj force politike në vitin 2013, por më pas është larguar. Në vitin 2017, viktima është pjesë e PDIU dhe ka bërë fushatë për këtë forcë politike në këtë qytet.

Pamje nga përplasja mes simpatizantëve të PS-së e PD-së në Elbasan

Po ashtu Xhuvani ka mbajtur dhe një post të rëndësishëm në administratë dhe ka qenë nën hetim për një mashtrim financiar me faturat e medikamenteve, ku sipas prokurorisë  i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 56 milionë Lekësh. Lidhur me këtë hetimet gjykata vendosi që ta dënonte me 6 muaj burgim.

ORA 14:58-Vrasja në Elbasan, RENEA dhe drejtuesit e Policisë drejt vendit të ngjarjes

Vrasja e ndodhur mesditën e sotme në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani ka tronditur jo vetëm qytetin por të gjithë vendin.

Drejt vendit të ngjarjes janë nisur forcat e RENEA, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe drejtuesit e tjerë të lartë të policisë.

Klan News raporton se kupola e policisë po shkon drejt vendin të ngjarjes për të mbikëqyrur hetimet.

Po ashtu bëhet me dije se policia ka nisur kontrolle dhe në daljet e qytetit ku janë ngritur post-blloqe.

ORA 15:04-Vrasja e Pjerin Xhuvanit, blindohen me policë daljet e Elbasanit

Policia e Elbasanit dhe qyteteve për rreth janë ngritur në këmbë pas vrasjes së ndodhur sot në mesditë në lagjen 5 Maji në Elbasan.

Forca të shumta policie3 kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por policia ka ngritur postblloqe dhe në hyrje daljet e qytetit.

Tvklan.al ka siguruar një video të post-bllokut të ngritur në dalje të Tiranës, tek rrethrrotullimi i TEG-ut. Po ashtu efektiv policie ka dhe në çdo dalje të qytetit.

ORA 15:15-U vra sot në Elbasan, kush ishte Pjerin Xhuvani. Angazhimi i tij në politikë

Pjerin Xhuvani ka mbetur i vrarë sot në mesditë pas një përplasje me armë në qytetin e Elbasanit. Xhuvani është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit, pasi ka pasur një angazhim në politikë vitet e fundit.

Emri i tij u denoncua nga Partia Demokratike, se kishte marrë pjesë në përplasjen që ndodhi mes simpatizantëve Ditën e Verës në Elbasan dhe e akuzonin 56-vjeçarin si mbështetës të PS-së.

Më herët, në vitin 2013, Xhuvani ka qenë pjesë e LSI dhe kandidat i kësaj force politike në vitin 2013, por më pas është larguar. Në vitin 2017, viktima është pjesë e PDIU dhe ka bërë fushatë për këtë forcë politike në këtë qytet.

Po ashtu Xhuvani ka mbajtur dhe një post të rëndësishëm në administratë dhe ka qenë nën hetim për një mashtrim financiar me faturat e medikamenteve, ku sipas prokurorisë  i ka shkaktuar shtetit një dëm prej 56 milionë Lekësh.

Lidhur me këtë hetimet gjykata vendosi që ta dënonte me 6 muaj burgim.

ORA 15:28-Vrasja në Elbasan, autori i dyshuar ish-efektiv i RENEA, vetëdorëzohet në polici

Autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur sot në Elbasan është një ish-efektivi i forcave RENEA. Tvklan.al, mëson se autori i dyshuar është Arbër Paplekaj, i cili ka qenë pjesë e forcave RENEA dhe është larguar pak kohë më parë nga këto struktura.

Ndërkohë mësohet se autori është vetëdorëzuar në polici dhe tashmë do të nisë marrja e tij në pyetje.

Nga ana tjetër forca të shumta policie ndodhet në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për zbardhjen e saj.

Qyteti i Elbasanit u trondit këtë mesditë ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë.

ORA 15:31-Vrasja në Elbasan, gazetari tregon çfarë ndodhi: Shkëmbimi i zjarrit nisi pas ndërhyrjes së strukturave të PD-së dhe policisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të Mërkurë në Elbasan, ndërsa një person ka mbetur i vdekur. Pjerin Xhuvani është vrarë me armë zjarri dhe tre të tjerë janë plagosur, përfshirë një efektive policie.

Gazetari Fatos Salliu raporton për Klan News se sipas informacioneve fillestare, konflikti ka ndodhur në çast pasi strukturat e PD-së dhe policia kishin pikasur një automjet që dyshohet se po shpërndante para për fushatë.

Shkëmbimi i zjarrit ka nisur në momentin që makina nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar.

“Sipas raportimeve fillestare që kemi, ka qenë një automjet i cili është pikasur si i dyshuar se po shpërndante para. Pas një angazhimi të strukturave të Partisë Demokratike dhe Policisë së Elbasanit, që kanë arritur në vendngjarje, kanë tentuar të paralizojnë automjetin dhe aty pastaj ka pasur shkëmbim zjarri pasi personat nuk i janë bindur urdhërit të policisë. Mendohet se aktualisht është një punonjës policie i lënduar dhe dy persona të tjerë të plagosur. Ende nuk kemi një konfirmim zyrtarë të asaj çfarë ka ndodhur. Edhe burime të PD konfirmojnë që ka qenë një automjet që dyshohet se po shpërndante para. Është një punonjëse policie e cila ka mbetur e plagosur. Personi i shtrirë në tokë konfirmohet që është i vdekur dhe dyshohet se është Pjerin Xhuvani, ish-kryetari i LSI-së në Elbasan”, raporton Fatos Salliu.

ORA 16:16-Rudina Hajdari: Vrasja në Elbasan, e frymëzuar nga prapaskenat politike

Deputetja Rudina Hajdari është një nga politikanet e para që ka shkuar në vendin ku ka ndodhur vrasja e Pjerin Xhuvanit.

Tvklan.al ka siguruar një foto të Hajdarit në vendin e ngjarjes dhe shihet se është bashkë me eksponentë të tjerë të Nisma Thurje. Ajo ka mbajtur dhe një deklaratë për mediat duke thënë se nuk bëhet kështu politikë. Ajo e konsideroi varjen si politike dhe tha se është frymëzuar nga prapaskena politike.

Është një vrasje politike që edhe njëherë ka shokuar qytetarët e Elbasanit dhe është një gjë për tu shqetësuar shumë. Po mundohem të informohem mbi këtë ngjarje. E patolerueshme është për faktin që ngjarja është frymëzuar nga bandat politike. Kërkojnë të marrin votat e qytetarëve me Lekë dhe me plumba, Ajo që më vjen keq mua është kjo situatë që shkakton ankth dhe pasiguri tek qytetarët. Kjo ngjarje është frymëzuar nga prapaskenat politike dhe kërkojnë të marrin vota në zgjedhjet e 25 Prilli. Nuk bëhet kështu politikë”, tha Hajdari.

Po ashtu në vendin e ngjarjes ka shkuar dhe Gazment Bardhi që në momentet e para dhe ka akuzuar kampin kundërshtar për krimin.

ORA 16:26-Bardhi: Janë një grup personash, shtabi i vetëm i Ballës

Gazment Bardhi ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Elbasan. Në një reagim të shkurtër për mediat, Bardhi tha se këta persona janë shtabi i vetëm elektoral i Ballës.

Vendngjarjen e shikoni vetë, janë një grup personash shtabi i vetëm elektoral i Taulant Ballës në Elbasan”, u shpreh Bardh disa metra larg vendit të ngjarjes.

Ndërkohë pritet që të  ketë një deklaratë dhe nga Taulant Balla, që është drejtuesi i PS për qarkun e Elbasanit.

ORA 16:27-Vrasja në Elbasan, Policia jep informacion zyrtar: 1 i arrestuar dhe disa të shoqëruar

Policia ka dalë me informacione zyrtar pas ngjarjes së rëndë që tronditi Elbasanin këtë të mërkurë. Pjerin Xhuvani ka mbetur i vdekur pas një konflikti me armë që ka ndodhur rreth orës 14:00 në lagjen ‘5 Maji’ të këtij qyteti. Si pasojë e të shtënave janë plagosur 3 persona të tjerë që janë Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç.

Por në përpjekje për të parandaluar këtë krim është plagosur edhe  punonjësja e Policisë  e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, Xhensila Sota, 27 vjeçe duke e çuar numrin e të plagosurve në 4 gjithsej.

Policia thotë se kanë vënë në pranga autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë, i cili është Arbër Paplekaj. Po ashtu është bërë i mundur edhe shoqërimi i disa personave në drejtoritë e policive në Elbasan e Tiranë si  të  dyshuar se kanë dijeni apo lidhje me këtë ngjarje.

Policia shprehet se po vijon puna për  fiksimin dhe administrimin e çdo prove materiale që do t’i shërbejë zbardhjes dhe dokumentimit të ngjarjes. Po ashtu uniformat blu thonë se po punojnë për kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. 

ORA 16:33U qëllua me 20 plumba, detaje të reja për vrasjen e Xhuvanit

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Elbasan ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-kryetari i LSI-së në këtë qytet, Pjerin Xhuvani dhe u plagosën edhe katër persona të tjerë.

Mes të plagosurve është efektivja e forcave “Shqiponja” Xhensila Sota dhe Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç.

Ngjarja dyshohet se ka nisur kur sekretari i përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi dhe disa persona të tjerë kanë konstatuar dhe kanë hedhur dyshime se në një furgon ku ndodheshin eksponentë të PS-së, përfshirë Pjerin Xhuvanin, ndodheshin shuma parash që do shpërndanin për fushatë.

Klan News raporton se autori i dyshuar i vrasjes së Xhuvanit, Arbër Papleka, ish-oficer, ka pranuar se ka qëlluar me armë viktimën, me argumentin se përdori armën për vetëmbrojtje.

Dyshohet gjithashtu se drejt trupit të Pjerin Xhuvanit janë gjuajtur rreth 20 plumba. Ndërkohë Gazmend Bardhi dhe Luçiano Boçi janë shoqëruar në komisariat për të dëshmuar. Në një prononcim të shkurtër Bardhi ka thënë se ngjarja lidhet me “shtabin e vetëm elektoral të Taulant Ballës”.

“Janë një grup personash, shtabi i vetëm elektoral i Taulant Ballës”, ka thënë ai.

Ndërkohë, gazetari Fatos Salliu, ka raportuar se janë dëgjuar krisma të tjera në qytetin e Elbasanit pas kësaj ngjarje, por nuk dihet ende nëse bëhej fjalë për përdorimin e armëve. Gjithashtu pritet që edhe Taulant Balla të japë një deklaratë për këtë ngjarje të rëndë që ka përgjakur Elbasanin këtë të Mërkurë.

ORA 17:37Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Meta: Shpreh keqardhjen, konfliktet këtu i krijon vetëm një njeri

Presidenti Ilir Meta nuk ka komentuar ngjarjen në Elbasan, ku këtë të mërkurë mbeti i vdekur ish-kryetari i LSI-së për këtë qytet, Pjerin Xhuvani. Kreu i shtetit shprehu keqardhjen dhe tha se konfliktet në Shqipëri i krijon kryeministri Edi Rama pasi ka frikë nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Për rastin konkret nuk mund të flas. Shpreh keqardhjen më të thellë për ngjarjen që ka ndodhur. Kurrsesi nuk duhet të kemi asnjë lloj konflikti. Të gjitha konfliktet këtu i krijon një person që është i tmerruar nga vota e lirë. Prova kemi zgjedhjet e 2017-ës, zgjedhjet moniste, një partiake, na mjafton sjellja e fundit për të përjashtuar kryetarin e Bashkisë këtu nga fushata se nuk iu bind. Sjellje kaq arrogante dhe me qëllim frikësimin e qytetarëve dhe përfaqësuesve”, tha Meta.

ORA 17:44-Ngjarja në Elbasan, reagon ambasada e SHBA. Kim kërkon vetëpërmbajtje nga liderët politikë

Ambasada Amerikane në vendin tonë ka reaguar për ngjarjen e rëndë që tronditi këtë të mërkurë Elbasanin, ku mbeti i vrarë ish-kryetari i LSI në këtë qytet, Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Në një deklaratë thuhet se SHBA ka “ndjekur raportimet për dhunën në Elbasan sot, e cila përfundoi në vdekjen e një personi dhe plagosjen e të tjerëve. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit të hetojnë këtë incident sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë, të identifikojnë autorët dhe t’i dënojnë me të gjithë forcën e ligjit. Ata që përfshihen në dhunë të tillë duhet të ndëshkohen”.

Ambasadorja Kim, thuhet më tej në deklaratë, i ka kërkuar Presidentit Meta, Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Partisë Demokratike Basha të ushtrojnë vetëpërmbajtje – dhe të udhëheqin në të njëjtën mënyrë – ndërsa çështja është duke u hetuar. Veprimet tona duhet të bazohen në fakte, jo në frikë apo thashetheme.

“Kur vetëm disa ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, ne përsërisim deklaratën tonë të 26 marsit duke bërë thirrje që udhëheqësit – ata që janë në pushtet dhe ata që kërkojnë pushtet – të refuzojnë qartazi dhunën. Ambasada Amerikane do të vazhdojë të monitorojë situatën nga afër“, thekson Ambasada amerikan në deklaratë.

ORA 17:51-Balla: PD-ja, furgonë me paramilitarë të armatosur. Reagimi i Bardhit, i turpshëm

Drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit për PS-në, Taulant Balla ka reaguar pas ngjarjes së rëndë që ndodhi këtë të mërkurë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Balla tha se në Elbasan kanë zbarkuar furgona të PD-së me paramilitarë të armatosur që kanë terrorizuar banorët. Po ashtu ai u shpreh se reagimi i Gazment Bardhit pas vrasjes së Xhuvanit ishte i turpshëm pasi përdhosi personin që humbi jetën pak metra larg trupit të viktimës. Drejtuesi politik i selisë rozë për Elbasanin u bëri thirrje qytetarëve për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve

“Sot në Elbasan ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë për të cilën është informuar mbarë publiku. Prej momentit të parë sapo jam njoftuar për ngjarjen jam munduar të marr të gjithë informacionin e domosdoshëm sikurse prej momentit të parë kam njoftuar të gjitha organizatat e PS-së në qarkun e Elbasanit për të ruajtur qetësinë dhe për të mos rënë pre e asnjë lloj provokimi, provokime që kanë ardhur duke u përshkallëzuar dhe kanë një autorësi të vetme, kanë PD-në, por edhe Presidentin. PD-në që jeni vetë dëshmitarë që nga ngjarja e shëmtuar e Ditës së Verës dhe për të ardhur sot në këtë ngjarje tepër të rëndë, ku ka humbur jetën një qytetar i Elbasanit, është plagosur një punonjëse e policisë dhe persona të tjerë. Erdha këtu për të parë nga afër shëndetin e punonjëses së policisë që e ka hequr qafe më të keqen dhe është në kujdesin e mjekëve. Besoj që jeni të gjithë dëshmitarë që sot në mëngjes kanë zbarkuar furgona me paramilitarë të PD-së që kanë terrorizuar banorë të zonave të ndryshëm, siç kanë ndodhur sot dhe dëshmitarë janë banorët e lagjes “5 Maj”. Autorësinë duhet t’ia lemë organeve ligjzbatuese për të çuar para drejtësisë vrasësin dhe porositësit e vrasjes. Furgoni i lobuar nga PD-ja ka mbajtur brenda persona të armatosur.  Ajo që më vjen keq është reagimi i turpshëm i listës së PD-së në Elbasan që përdhosi personin që humbi jetën vetëm pak metra larg viktimës. Thirrja ime për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Është ju lutem, ju jeni njerëz që dini të vlerësoni rëndësinë e këtij momenti dhe nuk duhet të bini nën provokime. Leksioni që duhet t’i japim këtyre paramilitarëve është t’i dënojmë me votën më 25 Prill. Thirrja ime është që të bashkohemi më shumë se kurrë për të dënuar me votë këta paramilitarë”, tha Balla.

Balla ka vizituar në spitalin e Elbasanit efektiven e policisë të plagosur nga përplasja me armë.

ORA 18:09Rama: Ndëshkim atyre që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Elbasan, ku humbi jetën Pjerin Xhuvani.

Kreu i qeverisë shkruan se qytetarët nuk duhet të humbasin qetësinë, durimin dhe besimin se zgjedhjet e 25 Prillit do të sjellin bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur vendin në majë. Po ashtu, për kreun e qeverisë kjo datë nënkupton edhe ndëshkimin kuptimplotë të atyre forcave që “duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona”.  

Dëshpërimi i humbësve nuk duhet e nuk do të na bëjë të humbasim as qetësinë, as durimin, as besimin se 25 Prilli do të sjellë bashkimin e shqiptarëve për ta ngjitur Shqipërinë në majën e merituar dhe ndëshkimin kuptimplotë të forcave që duan të ribëhen gjarpër rreth këmbëve tona”, shkruan Rama.

ORA 19:10-Reagon delegacioni i BE: Akti i dhunshëm duhet të hetohet me shpejtësi

Delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë, ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur këtë të mërkurë në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë.

“Akti i dhunshëm që ndodhi sot në Elbasan duhet të hetohet me shpejtësi nga autoritetet kompetente, dhe duhen bërë të qarta përgjegjësitë dhe të ndiqet plotësisht. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje dhe shmangie të dhunës, retorikës nxitëse dhe gjuhës së urrejtjes në këtë moment vendimtar të fushatës elektorale”.

ORA 19:51-Veliaj: E nisën dhe e mbyllën me armë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëkohësisht drejtuesi politik i PS-së për Tiranën në takimin elektoral nga Njësia 3, këtë pasdite komentoi ngjarjen e rëndë ndodhur pak më parë në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani. “E nisën me armë dhe po e mbyllin me armë”, tha Veliaj.

“E filluan me pistoletë tek këndi i lojërave. Kur shikojnë që deputeti shkon me pistoletë, bashkë me presidentin e Republikës, kundër një këndi lojërash, ku e filluan dhe e mbyllën prapë me deputetë me armë, të shoqëruar nga njerëz të dhunshëm që vrasin të tjerët, në Elbasan dhe prapë me një president republike që bën thirrje për dhunë. Nga kjo ti kupton që për këta evolucioni s’funksionon. Evolucioni funksionon për të gjithë speciet, çdo specie përmirësohet dhe bëhet më e mirë, por këta jo”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku pohoi se është për të ardhur keq kur një President bën thirrje për dhunë dhe një lider partie thotë “merrni armët”.

“Unë besoj që ai që vrau në Elbasan është gjithashtu viktimë, nuk është ai ideolog, ai stampisti. Unë besoj që ai patjetër që duhet të dënohet për vrasjen, as e diskutoj fare, por unë besoj që ai është viktimë. Se kur një njeri shkrep këmbëzën sepse një lider partie i thotë – Me pisqollë zgjidhen gjërat – dhe kur presidenti i republikës del dhe bën thirrje non – stop për dhunë, për sfurqe, për sëpata, për prerje duarsh, për prerje gishtash. Të gjithë këta që janë kapur të LSI-së janë duke shitur dhe duke blerë vota”, u shpreh Veliaj

ORA 20:02-Basha: Refuzojmë dhunën, por mbrojmë demokracinë me çdo çmim

Deri më tani kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku humbi jetën një person dhe mbetën të plagosur katër të tjerë, por nga Durrësi teksa po zhvillonte një takim elektoral tha se asnjë bandë apo shitblerje votash nuk do ta ndalë ndryshimin që po vjen.

Ai u shpreh se PD-ja e refuzon dhunën, por shtoi se demokratët do ta mbrojnë demokracinë me çdo çmim.

“Kudo buçet një thirrje, një vendim, bashkë për ndryshim. Këtë e di fare mirë edhe ai që për 8 vite ju la në baltë. Është shkaktari kryesor i vuajtjeve të nënave dhe baballarëve tanë ndaj ditëve të fundit i është vërsulur me mariftetet e vjetra, por e ka kot. Le ta shohin njeri tjetrin në sy, shikojeni fuqinë, shikojeni energjinë e pandalshme të ndryshimit që po vjen.  Nuk ka forcë ta ndalë, nuk ka banda ta ndalin, nuk ka korrupsion ta ndalë, nuk ka shitblerje votash ta ndalë. Ne e refuzojmë dhunën, por do ta mbrojmë demokracinë me çdo çmim”, tha Basha.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë këtë të mërkurë pas një përplasjeje me armë që ndodhi në lagjen “5 Maji” të qytetit të Elbasanit. Nga ngjarja kanë mbetur të plagosur katër persona mes tyre edhe një police. Ndërkohë është vetëdorëzuar autori i ngjarjes, Arbër Papleka, i cili ka deklaruar para autoriteteve se e ka kryer vrasjen në kushtet e vetëmbrojtjes. /tvklan.al