Persona të armatosur hapën zjarr gjatë një parade ushtarake në Iran, që po zhvillohej në qytetin jugperëndimor të Ahvaz, duke vrarë të paktën 25 persona.

Në mesin e viktimave janë edhe qytetarë të thjeshtë, ndërsa sipas mediave ndërkombëtare, të plagosurit janë mbi 60.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 09:00 me orën lokale dhe zgjati rreth 10 minuta. Autorët, të cilët dyshohet se ishin të paktën 4, qëlluan nga një park pranë paradës dhe mbanin të veshur uniforma ushtarake.

Thuajse gjysma e viktimave ishin anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane. Në mesin e të vdekurve ka edhe gra e fëmijë që po shihnin paradën. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar edhe disa pamje të kapura gjatë kohës që ndodhte masakra.

Sulmi u mor përsipër nga një grup arab anti qeveritar dhe Shteti Islamik.

Ndërkohë presidenti iranian, Hassan Rouhani u zotua për përgjigje të ashpër ndaj autorëve.

“Përgjigja e Republikës Islamike të Iranit ndaj kërcënimit më të vogël do të jetë i egër, por përgjegjës janë ata që sponsorizojnë terrorizmin “,

tha ai në një deklaratë.

Ndërsa ministri i Jashtëm Javad Zarif, fajësoi

“terroristët e paguar nga një regjim i huaj”,

duke shtuar se

“Irani konsideron përgjegjës, si sponsorët rajonal të terrorizmit, ashtu edhe drejtuesit e tyre amerikanë”.

Në të shkuarën Irani ka akuzuar rivalin e tij rajonal, Arabinë Saudite, si mbështetëse e aktivitetit të separatistëve.

/tvklan.al