Kryetari demokrat Basha ka folur sërish mbrëmjen e së shtunës për përgjimet e gazetës “Bild”. Ai deklaroi se qeveria po mundohet të relativizojë krimin në zgjedhje duke e cilësuar situatën politike si normale.

“Këto teza i përhapin vetë njerëzit e përfshirë në krim. Pamjet e Edi Ramës, Gjiknurit, Ulsi Manjës duke u sjellë me arrogancë ndaj përgjimeve janë neveritëse të një grupi njerëzish që krimi i ka kthyer në gënjeshtarë dhe patologjikë. Rama nuk ka denjuar as të bëjë sikur distancohet. Të gjithë mendojnë se krimi do harrohet, por nuk do harrohet.”

Basha tha se personat e përfshirë në vjedhjen e votave, kanë pastruar paratë në ekonomi.

“Shteti u dha Avdylajve edhe mundësinë të përdorin dhe pastrojnë paratë e krimit duke ju dhënë leje ndërtimi dhe leje të tjera, direkt apo indirekt në emër të tyre. Mbi katër leje ndërtimi ka marrë banda e Avdylajve nga Vangush Dako. E njëjta gjë në Peshkopi. Imer Lalës dhe të tjerëve shteti u dha licencën të kultivonin dhe trafikonin drogën. Madje policia direkt u ka afruar këtë pazar kriminelëve: na ndihmoni të vjedhim vota dhe jeni të lirë të mbillni kudo kanabis.”

Basha pati mesazh edhe për socialistët

“Unë u bëj thirrje njerëzve të ndershëm të Partisë Socialiste që të bëjnë presion për pastrimin e partisë së tyre nga ndikimi i krimit dhe figurat e krimit.”

Lideri i opozitës theksoi se nuk mund të ketë negociata apo marrëveshje politike. Sipas tij, largimi i Ramës dhe futja në burg e të gjithë të inkriminuarve, janë kushte të panegociueshme.

Tv Klan