Audio-përgjimet e publikuara nga gazeta “Bild” për zgjedhjet në Dibër e Durrës, sipas Partisë Demokratike tregojnë se Kryeministri Rama, qeveria dhe Partia Socialiste kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal për të marrë dhe mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme.

“Durrësi dhe Dibra janë dy krime të rënda elektorale, që vërtetojnë se Edi Rama di vetëm të vjedhë, të kërcënojë, të shantazhojë e të blejë vota, duke përdorur krimin, policinë dhe administratën. Përgjimet faktojnë se vjedhja e zgjedhjeve, në bashkëpunim me krimin, është një skemë e ngritur nga Edi Rama dhe e zbatuar nga bashkëpunëtorët e tij”, thotë Gazment Bardhi.

Të gjithë zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste të përfshirë në audio-përgjime, sipas demokratëve kanë konsumuar vepra penale, mes të cilëve edhe Kryeministri Rama në bisedën me Arben Keshin.

“Është shkelje e Kodit Penal. Neni 328/a parashikon ndalimin e përdorimit të një punonjësi që kryen një detyrë sheterorë qe e përdor, është Kryeministri i vendit, funksionari më i lartë që përdor burime njerëzore me qëllim favorizimin e partisë së tij në zgjedhje. Kjo vepër dënohet me burg nga 1 në 3 vjet”, shprehet Enkelejd Alibeaj.

Sipas PD-së, prapa hekurave do të duhet të ishte edhe Pjerin Ndreu i cili në audio-përgjim i kërkon drejtorit të shkollës Reshat Elezi të deklarojë hapur votën.

“Ta gjykojë vetë Prokuroria se me cilin paragraf duhet të hyjë në burg se ai e ka provuar bisedën”, thotë Çlirim Gjata.

Demokratët thonë se nëse Kryeministri nuk do të kishte kapur prokurori e gjykata, të gjithë zyrtarët e lartë të PS do të ishin dënuar me rreth 30 vite burg.

Tv Klan