Rama: Përgjimet për shantazh, jo për drejtësi

Rama: Përgjimet për shantazh, jo për drejtësi

16:05 17/06/2019

Kryeministri Rama reagoi duke e postuar vetë në Twitter përgjimin e bisedës mes tij dhe koordinatorit të Partisë Socialiste për Maqellarën, të publikuar në gazetën gjermane “Bild”. E konfirmon bisedën, por thotë se është një përpjekje për të manipuluar njerëzit dhe për të dëmtuar Shqipërinë, se përgjimet nuk u bënë për të bërë drejtësi, por për shantazh.

“Përgjimet e pahetuara të shërbëtorit të Saliut tregojnë përsëri se u bënë për shantazh, jo për drejtësi! Dhe u mbajtën tek partia për këtë ditë të zezë, kur duhet sulmuar Shqipëria me “zbulime gjermane”, për të bllokuar negociatat dhe ndaluar drejtësinë që vjen me kapitujt 23/24”.

Pas përgjimeve thotë se fshihet një skenar i mirëorganizuar nga opozita që sipas tij i frikësohet reformës në drejtësi dhe se janë nxjerrë nga një prokuror, që sipas tij i shërben Partisë Demokratike.

“Ky është i gjithi një skandal i turpshëm, i gatuar nga shërbëtori famëkeq i Saliut në prokurori+një birbo tjetër që doli cullak nga Vetingu, të cilët jo vetëm kanë shkelur ligjin për sekretin hetimor, duke i përdorur përgjimet për shantazhe e lojë politike, po s’kanë hetuar asgjë! Çfarë mjerimi dhe çfarë përpjekje e dëshpëruar për manipulimin e njerëzve dhe nxirjen e Shqipërisë! Çfarë gënjeshtre:AK s’ka punuar në polici asokohe dhe ka qenë denbabaden kandidat komune në Maqellarë. E konfirmoj këtë bisedë dhe do e bëja prapë njësoj! Kush ka veshë le të dëgjojë”.

Në fund paralajmëron se do padisë në Gjermani gazetarin e Bild, Peter Tiede.

“Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”!

Kryeministri nxit Prokurorinë të vijojë intensivisht hetimet, për të nxjerrë deri në fund, siç shprehet ai, ku mbarojnë llafet dhe ku dalin prova fajësie para ligjit, nëse ka të tilla. “Por sidoqoftë, kjo ndërmarrje kriminale për të helmuar dynjanë, do ta marrë përgjigjen e merituar në 30 Qershor e më tej akoma”, thotë ai në reagimin e tij.

Tv Klan

LAJMET

Të ngjashme

KPT
KPT
UKT Doktori