Kryeministri Rama ka folur për përgjimet e publikuara të dosjes 339 gjatë takimit elektoral në Urën Vajgurore. Kreu i qeverisë theksoi se hetimi për këtë çështje duhet të kishte përfunduar me kohë. Ai akuzoi disa nga prokurorët e kësaj dosje se kanë dorëzuar përgjimet tek Partia Demokratike, e cila tashmë tashmë po i përdor politikisht.

“Dëgjojeni deklaratën e drejtueses së Prokurorisë për Krime të Rënda. Me shumë vonesë për fat të keq, por ka shpjeguar arsyen se përse këto zbulime të mëdha janë një abuzim i madh me ligjin dhe nxjerrjen e sekretit hetimor për politik dhe kundër Shqipërisë, dëgjojeni dhe lexojeni kush janë personat që i kanë mbajtur në sirtar. Prokurorët i kanë çuar te partia për t’i përdorur për politikë, sepse i bashkojnë shumë gjëra ata, lufta kundër Reformës në Drejtësi. Prokurorë e politikanë që i tremben Reformës në Drejtësi. Të gjitha ato që kanë ndodhur, drejtësia vonon, por nuk harron. Drejtësia ka vonuar shumë, por mos harroni që nuk po bëjmë drejtësi popullore, por po ndërtojmë një sistem drejtësie me partnerët ndërkombëtarë ku prokurorët e gjykatësit nuk do të kenë lidhje me politikanët”.

Kryeministri Rama deklaroi se asnjëherë qeveria nuk ka penguar drejtësinë.

“Me ato muhabetet e kazanit, me ato përgjimet e neveritshme. Askush nuk mund të çohet dhe të thotë se ne ndonjëherë kemi hapur gojën për të penguar drejtësinë të bëjë drejtësi me këdo dhe për këdo. Askush ndonjëherë nuk na ka parë duke marrë në mbrojtje këdoqoftë që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë dhe ja kemi lënë drejtësisë të vendosë se kush është i fajshëm dhe kush iu pafajshëm. Ndërkohë që në aspektin moral, ata që na akuzojnë, ata që na hedhin baltë, janë ata të cilët, një shembull po ju jap, drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve e kishin të dënuar me vendim gjyqi në arrest shtëpie, dhe e çonin përditë dhe zotëria drejtonte tatimet me pranga në duar nga shtëpia. Ne gjithmonë e kemi bërë të qartë ndarjen, drejtësia ka punën e vetë, duhet të bëjë punën e vetë. Ata duan të bëjnë gjyqe publike, gjyqe popullore pa avokat, pa prova, pa hetime, pa asgjë”.

Përsa i përket akuzave të kreut demokrat për përgjimet, Kryeministri Rama deklaroi se Basha është vetë nën hetim në Shtetet e Bashkuara.

“Dhe më e bukura është që ai që i udhëheq këto procese gjyqësore publike, është një person i akuzuar dikur kur ishte ministër nga Prokuroria, jo në përgjime, por me 270 faqe akuzë për korrupsion dhe sot është një person nën hetim jo vetëm në Shqipëri por dhe në SHBA, për 1 milionë Dollarë që s’dihet nga erdhën, s’dihet nga dolën, s’dihet kujt i shërbyen, Luli, dhe kërkon revolucion moral”.

Në fund të takimit elektoral, Kryeministri ripërsëriti mesazhin se kush prek votimet më 30 Qershor, do të përballet me drejtësinë.

Tv Klan