Ishin ndarë në dy grupe në Belgjikë, njëri trafikonte drogë, tjetri armë

Dy shqiptarë konsiderohen si drejtues të grupit prej 12 personash të cilët u arrestuan të mërkurën gjatë një operacioni mes policisë shqiptare dhe asaj belge. 12 shqiptarët e prangosur ishin të ndarë në dy grupe, nga 6 persona. Njëri grup kishte rolin e trafikut të drogës ndërsa tjetri, trafikimin e armëve.

Në krye të grupit të trafikut të armëve rezulton se 51-vjeçari shqiptar Fatos Markaj i cili rezulton pronar i një kafeje dhe një picerie, por gjithashtu dhe trajner futbolli i certifikuar. Ndërsa në krye grupit të trafikut të drogës rezulton një 55-vjeçar. Anëtarët e dy grupeve të lidhur me njëri-tjetrin, kujdeseshin për komunikimet në telefon, ndërsa takimet i kryenin në kafenenë e 51-vjeccarit.

Aktiviteti kriminal i tyre u evidentua gjatë përgjimeve të operacionit “Flakë në det” nga policia shqiptare dhe SPAK, ku u godit grupi i Gëzim Çelës. Pas komunikimeve të zbërthyera në platformën SKY ECC, rezultoi se asnjëri prej personave të pandehur nuk ndodhej në Shqipëri, por në Belgjikë. Hetuesit theksojnë se anëtarët e grupit të Gëzim Çelës nuk kishin lidhje me shqiptarët e arrestuar në Belgjikë, por u evidentuan rastësisht nga zbërthimi i mesazheve të koduara.

Në këto kushte policia shqiptare i dërgoi të dhënat policisë belge. Këta të fundit kishin nisur një procedim penal për trafik armësh. Pas bashkimit të dy dosjeve, u bë i mundur dhe arrestimi i shqiptarëve, por edhe 6 personave të tjerë me kombësi belge.

Për arrestimin e 18 të pandehurve, policia belge angazhoi 275 efektivë, ndërsa kontrolloi 19 banesa.

Klan News