Përgjimet e Ndragheta, PD: Rama dhe Veliaj miratojnë korrupsionin

Jorida Tabaku


Përgjimet e Ndragheta, PD: Rama dhe Veliaj miratojnë korrupsionin

12:03 25/01/2021

“Përpjekja patetike nga Taulant Balla nuk do të funksionojë”

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot akuzat kundër Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, në lidhje me përgjimet e prokurorisë italiane për grupin Ndragheta.

Në një deklaratë nga selia blu, ish-deputetja Jorida Tabaku u shpreh se këtë javë ka dalë në dritë “korrupsion galopant i udhëhequr nga mafia dhe i ushtruar me miratimin e Erion Veliajt dhe Edi Ramës”.

Më tej ajo shton se “janë 1000 faqe përgjime të anti-mafias italiane, ku përshkruhet mënyra sesi bëhen pazaret për tenderat, koncesionet, PPP-të dhe ndërtimet në Shqipëri. 20%-shi është pjesa për pushtetin e Edi Ramës, dëshmi e gjallë e asaj që po ndodh në Shqipëri prej 8 vjetësh”.

Tabaku deklaroi se  arsyeja pse Rama nuk flet dhe Veliaj po shmang përgjigjet e vërteta dhe po justifikohet është e qartë për të gjithë. “Ata e dinë se sa thellë janë futur në këtë biznes me mafian”, theskoi ajo.

Një përgjigje pati dhe për deklaratën e Taulant Ballës, i cili tha se emri i eurodeputetit që është përmendur në përgjigje është mik i Lulzim Bashës.

Përpjekja patetike nga Taulant Balla nuk do të funksionojë. Kjo është ajo që ata bëjnë. Ata dështojnë. Ata korruptojnë. Ata  marrin paratë tuaja dhe i fusin në xhepat e tyre”, tha ish-deputetja.

Në fund premtoi se “në 25 Prill historia e një qeverie që punon për 20%-shin e mafias dhe të korrupsionit do të marrë fund”./tvklan.al







Të ngjashme