Deputeti i PD, Ervin Salianji ka publikuar prova të reja në lidhje me dosjen “Babale”, në të cilën akuzohet për kallëzim të rremë. Në një konferencë për media, Salianji ka publikuar një përgjim të prokurorisë, ku sipas pretendimeve të demokratit ish-drejtorI I policisë se Fierit, Albert Nushi i jep para Fredi Alizotit për të pranuar se kishte gënjyer në lidhje me përfshirjen në trafikun e drogës të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Deputeti Salianji thotë se ekzistojnë dhe përgjime të tjera në dosjen zyrtare të Prokurorisë.

Ervin Salianji, Deputet i PD: Ka dhjetëra komunikime të tjera për të vendosur siç e patë kohën sa e kur do të bëhej arrestimi fals që dëshmitari i rremë, Alfred Alizoti të bënte burg në këmbim të parave.

I gjithë ky skenar sipas deputetit është me qëllim implikimin e tij në këtë çështje si dhe për të shpëtuar nga një dënim i ri vëllain e Fatmir Xhafajt.

Ervin Salianji, Deputet i PD: E gjithë sajesa në lidhje me gjyqin për kallëzimin e pabërë është depozituar në Gjykatë vetëm për arsye që të shmanget nga dënimi i ri vëllai i ministrit të Brendshëm të kohës.  

Të enjten Gjykata e Apelit do të marrë vendimin ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji, i cili është dënuar nga shkalla e parë me 1 vit burg për kallëzim të rremë. Çështja e njohur publikisht si “Babalja” ndodhi më 14 Maj të vitit 2018.

Nga selia e PD u denoncua një “audio-përgjim ku pretendohej se implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”.

Gjykata e shkallës së parë vendosi se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit Fredi Alizoti, Albert Veliun, Jetmir Olldashi si dhe Ervin Salianjin.

Klan News