Përgjimi i Dritan Priftit (Video Arkiv) – TV KLAN

Përgjimi i Dritan Priftit (Video Arkiv)

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti filmoi veten duke marrë 70 mijë Euro në një aferë të pastër korruptive. Korrupsioni i tij u dekonspirua nga ekspertiza amerikane që mori në dorë mjetet me të cilat Dritan Prifti përgjoi një bisedë mes tij dhe Ilir Metës duke e shitur tek shqiptarët si provën e kalorësit të betejës antikorrupsion.

Por, ndërkohë që ekzaminoi orën e dorës dhe laptopin e tij, eksperti amerikan zbuloi një tjetër video ku Dritan Prifti shfaqej me figurë teksa merrte 70 mijë Euro nga vartësi i tij, ish-zëvendës ministri i Ekonomisë Leonard Beqiri. Ish-ministri e kishte fshirë nga kompjuteri videon ku filmonte veten, por eksperti amerikan në hetimet për të zbuluar vërtetësinë e përgjimit të Priftit ndaj Metës kishte zbuluar aferën korruptive. Pas zbulimeve të ekspertizës amerikane, Prokuroria regjistroi një procedim penal për Dritan Priftin nën akuzën e “korrupsionit pasiv” dhe i kërkoi Kuvendit heqjen e imunitetit të tij si deputet. Dritan Prifti do të hynte në histori si zyrtari i parë që në emër të luftës antikorrupsion bëri së pari shembull veten e tij, pavarësisht faktit se këtë e bëri pa dashje teksa po tentonte t’i bënte “gropën” shokut të tij. Me akuzën e korrupsionit pasiv Dritan Prifti rrezikonte 2 deri në 8 vjet heqje lirie.

Ngjarja shokoi politikën shqiptare, ishte një ngjarje e pabesueshmë që në Shqipëri duket se bëhen realitet. Emisioni “Opinion” i gazetarit” Blendi Fevziu trajton pikërisht misterin e përgjimit të Dritan Priftit. Ish-ministri për të bërë përgjimin kishte përdorur një orë tavoline e cila mund të gjendej lehtësisht në internet.

Menjëherë pas publikimit të videopërgjimit dhe kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit, Dritan Prifti reagoi duke thënë se nuk kishte lidhje me atë që kishte ndodhur.

“Për mua është surprizë kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila i kërkoi Kuvendit autorizimin për ndjekjen time penale. Kush e beson që unë do të filmoja veten duke bërë korrupsion”, deklaroi Prifti.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*



Emisione