Fasonët, mineralet dhe ndërtimi me rënien më të madhe

Në muajin Prill, eksportet shqiptare janë përgjysmuar krahasuar me një vit më parë. Pandemia e Covid-19 ka dhënë një goditje për të gjithë sektorët e ekonomisë, të cilët kanë shënuar rënie në shitjen e mallrave jashtë pa përjashtim, ndërsa peshën më të madhe në reduktimin e shitjeve e ka patur industria fasone.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, eksportet në Prill u ulën me 44.4%, duke kapur vlerën e 150 milionë dollarëve, ndërsa rënie ka patur dhe për importet, çka tregon një tendencë të ulët të konsumit në vend. Me përjashtim të produkteve ushqimore, çdo industri tjetër është në rënie.

Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit, thotë se të gjithë sektorët prodhues kanë patur vështirësi për shkak të kapaciteteve të dobëta gjatë pandemisë dhe masave bllokuese.

Një problem kryesor për industrinë prodhuese vendase të produkteve ushqimore është mungesa e financimit. Institucionet e mikrokredisë nuk kanë marrëveshje me qeverinë për t’i dhënë fermerëve kredi me kosto të ulët.

Industria e peshkimit po përballet me kosto të rënduara për shkak të rënies së shitjeve me gati dy herë sa një vit më parë, ndërsa vështirësi ka edhe në prodhimin e bimëve medicinale, një sektor që ka peshë të konsiderueshme në eksporte, ndërsa agroturizmi ka rezultuar në këtë periudhë me 0 shitje.

Tv Klan