Koronavirusi po përhapet me ritme të shpejta edhe në Spanjë

Italia shënon një tjetër shifër jashtëzakonisht të lartë viktimash nga koronavirusi. 793 persona humbën jetën në 24 orët e fundit duke e çuar në 4825 numrin e përgjithshëm të të vdekurve. Tepër e lartë është edhe shifra ditore e të infektuarve, mbi 4800 duke e çuar në total mbi 42 600 numrin e të prekurve. Lajm i mirë është edhe rritja e numrit të të shëruarve çdo ditë. Në 24 orët e fundit janë shëruar 943 persona duke e çuar totalin e tyre në 6072.

Rritje të lartë të numrit të viktimave dhe të prekurve nga koronavirusi ka pasur edhe Spanja. Në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 300 pacientë, duke e çuar në 1326 numrin e viktimave. Brenda të njëjtës periudhë kohore është rritur me 25% edhe numri i të infektuarve. Kështu në 24 orë kanë rezultuar rreth 5 mijë të infektuar të rinj dhe tashmë në këtë vend numërohen afro 25 mijë të prekur.

Autoritetet shëndetësore thonë se është rritur me 40% numri i pacientëve të vendosur në terapi intensive, çka i ka mbingarkuar spitalet. Autoritetet vendosën të shndërrojnë disa hotele dhe hapësira të tjera të mëdha, si sallat e panaireve, në qendra të përkohshme për kurimin e pacientëve të koronavirusit.

Rritje të lartë të numrit të prekurve ka pasur edhe në Gjermani, ku vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar mbi 2700 raste të reja, duke e çuar në total rreth 16 600 numrin e të infektuare. Gjithsesi, ky vend ka një vdekshmëri të ulët krahasuar me vendet e tjera të mëdha europiane, 16 në 24 orët e fundit dhe 47 në total.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka planifikuar të hënën një mbledhje të jashtëzakonshme qeverie për të të miratuar marrjen e një prej kredive më të mëdha të dekadave të fundit 356 miliardë euro, sa 10% e prodhimit të brendshëm bruto të vendit. Kredia ka për qëllim të ndihmojë autoritetet në menaxhimin e situatës së emergjencës, për t’i bërë ballë kryesisht problemeve që ka shkaktuar gjendja e jashtëzakonshme në tregun e punës dhe në ekonomi.

Në Greqi, numri i viktimave ka arritur në 13, ndërsa ai i të prekurve 495. Problem përbën edhe Irani, ku miliona shtetas të këtij vendi që jetojnë jashtë janë rikthyer për të festuar vitin e ri, duke rrezikuar shtimin e ritmeve të përhapjes së koronavirusit. Aktualisht numërohen mbi 1500 të vdekur e më shumë se 20 mijë të infektuar në Iran.

Në gjithë globin numërohen mbi 11 500 viktima dhe afro 280 mijë të prekur që nga fillimi i përhapjes.

Tv Klan