Pas shpërthimit të listerisë në SHBA, CDC (Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve) ka paralajmëruar njerëzit që të mos hanë, shesin ose shërbejnë kërpudha enoki të kontaminuara. Veçanërisht, personat që janë shtatzënë, të moshës 65 vjeç e lart, ose kanë një sistem imunitar të dobësuar, janë këshilluar që të shmangin ngrënien e ndonjë kërpudha enoki të papërpunuar, pasi listeria është veçanërisht e dëmshme për këto grupe njerëzish. Listeria mund të infektojë gjithashtu njerëz të shëndetshëm, por ata rrallë sëmuren rëndë.

Ngrënia e ushqimit të kontaminuar me bakterin Listeria monocytogenes mund të shkaktojë një gjendje të rëndë të njohur si listeriozë invazive te njerëzit me rrezik të lartë. Sipas CDC, rreth 1,600 njerëz në SHBA sëmuren nga listerioza çdo vit, dhe rreth 260 vdesin. Ndonjëherë, Listeria mund të përhapet përtej zorrëve dhe të infektojë pjesë të tjera të trupit, duke përfshirë kockat, nyjet dhe vendet në gjoks dhe bark. Njerëzit e moshuar dhe ata me sistem imunitar të dobësuar kanë më shumë gjasa të zhvillojnë infeksione të rënda të qarkullimit të gjakut (duke shkaktuar sepsë) ose trurit (duke shkaktuar meningjit ose encefalit) pas infeksioneve me Listeria, sipas The Helthsite.

Përhapja e Listerias në SHBA lidhet me kërpudhat Enoki

Kërpudhat Enoki konsumohen gjerësisht në Japoni, Kinë dhe Kore, dhe ato më së shumti shtohen në supa ose serviren të skuqura. Këto lloj kërpudhash kanë kërcell të bardhë, të gjatë dhe të hollë dhe shpesh shiten në një tufë me rrënjë në pako plastike të mbyllura.

SHBA raportoi shpërthimin e parë të njohur të Listeria të lidhur me kërpudhat enoki në vitin 2020, gjë që rezultoi në tre tërheqje të kërpudhave enoki të importuara nga Koreja. Që atëherë, agjencitë shëndetësore të vendit duke përfshirë Administratën e Ushqimit dhe Barnave (FDA) kanë mbledhur dhe testuar mostra të kërpudhave enoki. Ata kanë gjetur shtamet e shpërthimit të Listeria në shumë mostra, duke çuar në më shumë tërheqje të kërpudhave enoki, duke përfshirë ato të shpërndara nga Utopia Foods dhe Sun Hong Foods.

Këshilla për njerëzit me rrezik të lartë për të shmangur infeksionin nga Listeria

Nëse jeni shtatzënë, 65 vjeç e lart, ose keni një sistem imunitar të dobësuar për shkak të kushteve ose trajtimeve të caktuara mjekësore, mund të sëmureni rëndë, nëse infektoheni nga Listeria. Prandaj, CDC veçanërisht i këshillon këta njerëz me rrezik të lartë që:

-Të mos konsumojnë kërpudha enoki të tërhequra ose të kontaminuara (ose marka të kërpudhave enoki të lidhura me shpërthimin aktual të Listeria në SHBA)

-Të shmangni ngrënien e papërpunuar (nëse jeni duke ngrënë kërpudha të tjera të markave enoki). Gatuani ato tërësisht pasi ngrohja e ushqimit në një temperaturë mjaft të lartë mund të vrasë bakteret.

-Lani gjithmonë duart pasi prekni ndonjë kërpudha enoki të papërpunuar.

-Pastroni frigoriferin, enët dhe sipërfaqet që janë përdorur për të mbajtur kërpudhat enoki të papërpunuara.

-Mbani kërpudha enoki të papërpunuara dhe ushqime që nuk do të gatuhen veçmas.

Simptomat e infeksionit me Listeria

Simptomat e lidhura me infeksionin me Listeria zakonisht shfaqen brenda 2 javësh pas ngrënies së ushqimit të kontaminuar me baktere. Dikush mund të fillojë të shfaqë simptomat që në të njëjtën ditë pas konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose deri në 10 javë.

Temperatura, dhimbjet e muskujve dhe lodhja janë simptomat më të zakonshme të infeksionit me Listeria. Së bashku me këto simptoma, njerëzit që nuk janë shtatzënë mund të kenë gjithashtu një dhimbje koke, qafë të ngurtësuar, konfuzion, humbje të ekuilibrit ose kriza.

Tek gratë shtatzëna, infeksioni me Listeria mund të shkaktojë humbje të shtatzënisë ose lindje të parakohshme dhe sëmundje serioze ose vdekje tek të porsalindurit.

Për ata që janë 65 vjeç ose më të vjetër ose kanë një sistem imunitar të dobësuar, infeksioni me Listeria shpesh çon në shtrimin në spital dhe ndonjëherë në vdekje. /tvklan.al