ebola1Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se përhapja e virusit vdekjeprurës Ebola është nënvleftësuar ndjeshëm nga autoritetet përgjegjëse në vendet e prekura afrikane.

Nga vlerësimet e kësaj organizate janë gjithsej 1069 viktima në Liberi, Guine, Sierra Leone dhe Nigeri.

Por në një deklaratë, OBSH thotë se raportimi i rasteve të të prekurve dhe rrjedhimisht vdekjet, nuk reflekton seriozitetin e krizës, ndaj ajo fton komunitetin ndërkombëtarë në marrjen e masave urgjente për përballimin e epidemisë.

Por Organizata deklaroi se situata, që mund të vlerësohet edhe si piku i sëmundjes, do të vijojë edhe për një periudhë tjetër kohe dhe ndër faktorët kryesorë për këtë ajo listoi: varfërinë ekstreme; rrënimin e sistemit shëndetësor; mungesën e specialistëve dhe frikën e madhe.

Nga ana tjëtër, është mësuar se rasti i parë i raportuar me virusin Ebolla daton në mars të këtij viti në Guine, ndërsa viktima e parë është identifikuar një djalë 2-vjeçar në dhjetor të 2013, po në këtë shtet afrikano-perëndimor.

Në të njëjtën deklaratë, OBSH thotë se përhapja e virusit është e ulët nëpërmjet ajrit, ç’ka do të ndikojë në rivlerësimin e qëndrimit të kompanive të ndryshme ajrore, për të fluturuar sërisht në zonën e prekur.

Ndërkaq, vlerësohet se epidemia do të jetë faktori kryesor në performancën e dobët ekonomike të vendeve të prekura, të cilat ose sapo kanë dalë nga konfliktet civile, ose ende vijojnë të kenë probleme të kësaj natyre.

Redaksia/Tv Klan