Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime” në TV Klan ishte këngëtarja mjaft e dashur nga publiku, Mariza Ikonomi.

Ajo u shpreh se ditët që po kalojmë janë shumë të vështira, por mundohet që t’i kalojë me pozitivitet, edhe pse e pranon se ky moment e ka bërë të mendoj ndryshe për jetën.

Mariza Ikonomi: Janë ditë shumë të vështira, ditë që na kanë bërë të ndërgjegjësohemi, na kanë bërë ta mendojmë ndryshe jetën. Më kanë bërë më filozofe duhet thënë dhe është një gjendje deri diku sureale për mua, është e çuditshme. Por gjithsesi mundohem që këto ditë të vështira, sigurisht ti kaloj me pozitivitet, duke bërë muzikë, duke dëgjuar muzikë, duke parë ndonjë film, duke lexuar ndonjë libër, duke ndenjur me familjen sepse unë jam me mamin, babin dhe qenin tim.

Më tej, këngëtarja shton se në këtë periudhë, ajo kishte shumë plane dhe projekte të reja muzikore, që për shkak të situatës do shtyhen.

Mariza Ikonomi: Kjo periudhë për mua qëlloi pak e keqe, duke qenë se unë kisha dhe kohë që i mungoja Shqipërisë, ishte momenti që unë duhet të ndizja motorin, edhe të filloja të përgatitesha për një këngë. Ndërkohë kishim bërë edhe një muzikë filmi, që pritej të dilte për në Mars, por që sigurisht do të shtyhet. Kam bërë edhe disa këngë të reja që do i shoqëroja edhe me klipe. Kisha koncerte nëpër vende të ndryshme të Shqipërisë, në këtë moment do të kisha më shumë aktivitet dhe do i dhuroja diçka publikut. Por si është ajo shprehja, më mirë vonë sesa kurrë./tvklan.al