“Periudha më e vështirë e jetës sime politike”

Kryeministri Edi Rama, në një video-mesazh në Facebook, duke përdorur tone ironie, i është përgjigjur kritikave që ka marrë gjatë kësaj periudhe pandemie.

Rama thotë se nuk duhet humbur vigjilenca dhe se rregullat duhet të zbatohen edhe pas hapjes graduale që po bëhet.

“Si mendoni ju që shani dhe mallkoni pa pushim? Nuk kanë lidhje këto rezultate me këto masa dhe hapa që kemi hedhur në kohën e duhur deri më tani? Apo mendoni se Covidi i ka marrë me të mirë shqiptarët, apo se janë trima dhe ta japin në lule të ballit po u dole përballë? Jo more miq, janë këto masa që kemi ndërmarrë që kemi arritur deri këtu, falë pjesës dërrmuese të qytetarëve të këtij vend, me sjelljen e tyre super të përgjegjshme… Jo po pse oraret kështu, jo po pse ashtu, jo po pse nuk dalin pensionistët, jo po pse e shtuna mbyllur, jo po pse e shtuna hapur… hyp se të vrave, zbrit se të vrara.

Jo po pse nuk përgjigjesh o komunist, jo po pse kështu o sulltan, jo po o legen pa din e iman që tallesh me popullin, se populli po vdes, se populli është dele, se populli këtej, se populli andej, po mirë e ka ky popull, me këtë popull qe e gjete, po të gjeti… Ore jeni në vete apo i keni lëshuar pëllumbat përfundimisht?! Flasin disa populli, populli, por lidhje s’kan as me popullin as me atë për të cilën po flasin, por prapë flasin dhe nuk pushojnë… Mendjen po, e kanë pushim”.

Rama thotë se sot jemi në këtë situatë, me këto shifra relativisht të ulëta, falë masave të marra.

“Ky armik është real dhe vret! Deri sa të dalë vaksina duhet të ndryshojmë qasje, sjellje, mënyrë të menduari dhe të organizuari mënyrën e jetës së përditshme….

 Kjo është periudha më e vështirë e jetës sime politike dhe përballja më e jashtëzakonshme me vendimet më të vështira e të sikletshme që duhet të marr se këtë detyrë kam. Shumë kujt i duket se të qeverisësh është jetosh rehat, të pasurohesh, për fat të keq, por jo! Është të rrish pa gjumë…

Nuk po u qahem se e kam nder dhe pasion këtë punë, por aq gabim po flisni disa nga ju! Sikur të më thonit që sot ik se po ike ti Covidi po ikën nesër, unë do isha duke u dhënë lamtumirën me kënaqësi.

Ju lutem të mos e bëjmë si lopa, tani që po hapemi nëse nuk ruhemi, unë nuk do mundem t’ju mbroj më. Ju lutem kjo nuk është lojë, nuk është bast, nuk është me të dalim ku të dalim! Kemi vetëm një rrugë që na nxjerr me rezultatin më të mirë të mbrojtjes së shëndetit… të tjerat janë të gjitha dokrra…” /tvklan.al