Ekspertët: Rritin evazionin, më të mirë politikat me subvencione

Gjysma e Prodhimit Kombëtar të Shqipërisë është e përjashtuar nga barra e tatimit mbi vlerën e shtuar, duke rezultuar ndër vendet me përjashtimet më të mëdha në rajon, ku dhe Kosova ka vetëm 1/3 të ekonomisë së saj të përjashtuar nga kjo taksë.

Në bazë të një studimi të realizuar nga ekspertët e politikave fiskale, rezulton se Shqipëria ka në potecial të mbledhë  2.1 miliardë Euro nga taksa e TVSH-së, por sot arrin të realizojë 815 milionë Euro më pak si rezultat i përjashtimeve por dhe evazionit fiskal.

“Nëse e krahasojmë me vitin 2014 kur është bërë studimi i fundit i përjashtimeve të kësaj takse, ka rritje me 10-15% të përjashtimeve tatimore, dhe rezultojmë me TVSH më të ulët të realizuar edhe se Kosova”.

Sektorët që kanë përjashtimet më të mëdha në Shqipëri janë arsimi, shëndetësia dhe shërbimet. Ekspertët thonë se më ideal do të ishte një sistem që lehtëson degë të caktuara të ekonomisë duke i dhënë subvencione në vend të përjashtimeve.

“Si natyrë përjashtimet nxitin dhe bizneset që nuk u takon që të përfitojnë dhe rritin informalitetin”.

Ministria e Financave ka në strategjinë e saj rishikimin e disa përjashtimeve që ka bërë në sektorë të caktuar të ekonomisë, ndërsa së shpejti nis implementimin e reformës së fiskalizimit me qëllim luftën kundër evazionit dhe rritjen e mbledhjes së TVSH-së.

Tv Klan