Seanca nuk u zhvillua, Albana Vokshi dhe Elda Hoti u dënuan me 10 ditë

Dy deputetet e PD, Albana Vokshi dhe Elda Hoti kanë ankimuar në Byronë e Kuvendit vendimin e Komisionit të Etikës për përjashtimin e tyre me 10 ditë nga punimet e parlamentit për shkak të kaosit të shkaktuar në seancën parlamentare të 15 shkurtit. Ky ishte ankimimi i parë që është bërë nga demokratët që nga nisja e aksionit të opozitës në parlament, që për rrjedhojë ka sjellë dhe përjashtime të përjashvshme për deputetët.

Në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, ishin të pranishëm deputetët e PD përfshirë Gazment Bardhin dhe Flamur Nokën, por mungonin deputetët socialistë.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin vetëm socialistët Blendi Klosi dhe Ermonela Felaj e cila drejtoi mbledhjen.

Por, për shkak të mungesës së deputetëve socialistë nuk u plotësua kuorumi, gjë e cila solli dhe dështimin e mbledhjes.

Dështimi i mbledhjes solli reagimin e demokratëve.

Pas mbledhjes, deputetja Albana Vokshi tha për mediat se dështimi i saj ishte skenar i PS, ndërsa shtoi se nuk e njeh vendimin e Komisionit të Etikës dhe së bashku me deputeten Elda Hoti do të shkojnë në seancën e ardhshme parlamentare.

“Është nul është i pazbatueshëm. Për aq kohë sa Byroja nuk morri sot vendim, ky vendim është i rrëzuar, ky vendim është i pezulluar ndaj unë me kolegen time nesër do të jemi në seancën plenare.”

Grupi parlamentar i PD, është i vendosur që të vijojë aksionin në parlament deri në plotësimin e kërkesave të tyre që lidhen me ngritjen e komisioneve hetimore dhe ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore.

Klan News