Mungojnë disa nga “kritikët”

Frika e një furtune nga ana e Sali Berishë në selinë blu duket se e ka vënë në pozita aspak komode Lulzim Bashën, i cili që prej marrjes së vendimit të tij personal ka nxituar të takohet me të gjitha strukturat e partisë.

Edhe kjo e hënë e gjeti në zyrë me disa prej përfaqësuesve të kryesisë së grupit, që njihen si më të besuarit e tij dhe njëherazi mbështetës të qëndrimit për përjashtimin nga grupi parlamentar i demokratëve të Sali Berishës.

Ai u kërkoi atyre që të mos u shmangen mediave dhe të përçojnë në opinionin publik dhe tek mbështetësit mesazhin se Partia Demokratike nuk është e përçarë, mesazh që duket se u përthith menjëherë nga disa prej të besuarve.

“Nuk është çështja ishte vendim i drejtë apo i gabuar, por nuk kishte mundësi tjetër Lulzim Basha dhe Partia Demokratike. Ishte shtegu i vetëm për të kaluar. Unë e kam thënë që Sali Berisha është personalitet i madh politik, betejat që mund të bëjë Sali Berisha për statut nuk janë beteja të kalibrit të tij, janë beteja të vogla.”

Për disa të tjerë, kjo duket pak më e vështirë. Në takim munguan deputetët Oerd Bylykbashi, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Luçiano Boçi, të cilët pak ditë më parë gjatë mbledhjes së grupit e cilësuan në shkelje të statutit vendimmarrjen e kryetarit të partisë.

Të kontaktuar nga televizioni klan ata thanë se nuk ishin njoftuar për një takim të tillë dhe se po njiheshin nga media me mbledhjen që ishte zhvilluar në selinë blu. Ndërsa Flamur Noka i cili që pas vendimit të Bashës ka dalë hapur në krah të Sali Berishës, e ironizoi kreun e partisë me disa vargje të poetit Kiço Spiri.

Gjatë pasdites kryedemokrati Basha mblodhi edhe grupin parlamentar, por refuzoi sërish të komentonte zhvillimet që ka sjellë vendimi I tij për largimin e Berishës nga grupi parlamentar.

Tv Klan