Përjashtimi i Berishës, Nishani: Misioni që i është ngarkuar Bashës, thikë pas shpine për Shqipërinë


Përjashtimi i Berishës, Nishani: Misioni që i është ngarkuar Bashës, thikë pas shpine për Shqipërinë

11:25 14/09/2021

Ish-Presidenti Bujar Nishani thotë se përjashtimi i Sali Berishës nga Grupi Parlamentar është pjesë e projektit Rama-Basha dhe thikë pas shpine për demokratët. Nishani shprehet se Basha mbrohet me tezat e Ramës dhe si misioni i tij është asgjësimi i PD.

Bujar Nishani: Thikat pas shpine ndaj Partisë Demokratike janë në të vërtetë, thika në zemër për Shqipërinë! Misioni që i është ngarkuar L. Bashës prej pushtetit më të korruptuar e të inkriminuar në Shqipërinë e 30 viteve të fundit, është projekti më kriminal anti PD e anti demokratik që prej atij të tentuar në 1997!

PD është një prej institucioneve kryesore të shoqërisë shqiptare, është një mekanizëm i domosdoshëm që sistemi politik të funksionojë normalisht, është mundësia për të patur alternativën e një modeli tjetër qeverisës. Të kapësh e të mbash peng, përmes metodave gangsterriste, pushtetin dhe procesin vendimmarrës mbi Partinë Demokratike, për t’i shërbyer projektit antishqiptar të asgjesimit të alternativës qeverisëse, është po aq kriminale sa korrupsioni, kriminaliteti, shkatërrimi i institucioneve, varfërimi i shqiptarëve, prej qeverisjes.

Asgjesimi i PD është asgjesimi i opozitës sot, është asgjesimi i alternativës së qeverisjes ndryshe nesër, është minimi i demokracisë, është thikë në zemër për Shqipërinë! Tezat e Edi Ramës se L. Bashën e detyruan SHBA për ta përjashtuar Sali Berishën nga PD dhe se ai nuk kishte rrugë tjetër, janë teza krejtësisht spekulative dhe fasada majtiste për të mbuluar projektin e asgjesimit të PD.

L. Basha ka patur ultimatume të forta nga SHBA për të mos djegur mandatet e mos braktisur Parlamentin! L. Basha ka marrë kërkesa të forta e të qarta nga SHBA për të mos bojkotuar zgjedhjet dhe pushtetin lokal! L. Basha as i mori në konsideratë ato kërkesa e ultimatume të SHBA dhe i injoroi ato plotësisht.

Megjithëse ato ishin vendime e akte që minonin rëndë demokracinë në këtë vend, L. Basha i shpërfilli kërkesat amerikane në ato raste sepse i duhej të plotësonte interesat politike të Edi Ramës që ky të kapte e kontrollonte çdo qelizë e pushtet absolut të sistemit politik në Shqipëri! Projekti antishqiptar i dyshes Rama-Basha, për asgjesimin e PD është sfida më e madhe për shoqërinë sot, është beteja më e madhe politike për t’i shërbyer të nesërmes së Shqipërisë!/tvklan.al








Të ngjashme