Shoqëritë e bashkuara bujqësore nuk do të jenë pjesë e zinxhirit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, pavarësisht xhiros vjetore që ato do të kenë. Nisma synon zhvillimin e bujqësisë dhe nxitjen e prodhimit në këtë sektor.

Aktualisht numri i këtyre shoqërive është mjaft i kufizuar, vetëm 25, ndërsa të ardhurat vjetore që ato realizojnë nuk e kalojnë vlerën e 25 milionë lekëve.

“I është dashur fermerëve që të bashkëpunojnë, të jenë pjesë e skemës së TVSH-së, që është e njëjtë me shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, ose personave juridikë të tjerë”.

Ilir Halilaj sqaron se bashkimi i fermerëve mund të bëhet edhe në zinxhirin e prodhimit e të shitjeve dhe ata mund të ruajnë të drejtën e pronësisë së tokës që kanë.

“Toka, makineritë, ngelen në pronësi individuale të fermerit, por prodhimi dhe shitja mund të bashkohen për të përfituar nga kjo skemë”.

Ndryshe nga sektorët e tjerë shkarkimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në bujqësi është më i vështirë për shkak të informalitetit të lartë që ka kjo degë, e në shumë raste atyre iu mohohet e drejta për të përfituar kreditim apo rimbursim të saj.

“Njohja e kostove të zbritshme për efekt TVSH-je dhe Tatim-Fitimi është e vështirë tek fermerët”.

Që të kthehesh në ndërmarrje bujqësore të bashkuar duhet që minimalisht të kesh në bashkëpronësi 7 anëtarë, të cilët kultivojnë kultura të ngjashme duke pasur hapësira toke më të mëdha e kosto më të lira.

Tv Klan