Gjana: Përveç Bashës, asnjë kandidat nuk ka sjellë emrat e komisionerëve

Në zgjedhjet e së djelës për kreun e ri të Partisë Demokratike të gjithë ata anëtarë të cilët nuk bënë fushatë për koalicionin opozitar në 25 Prill do të përjashtohen nga e drejta e votimit.

Sipas kryetarit të Komisionit të Zgjedhjeve në selinë blu, Jemin Gjana, identifikimi i tyre është i thjeshtë pasi njihen nga anëtarët e grup-seksioneve.

“Përjashtohen ata anëtarë që në fushatën e fundit zgjedhore kanë qenë anëtarë, komisionerë, vëzhgues apo aktivistë të partive të tjera jashtë koalicionit të PD me aleatët”.

Të njëjtat sanksione vlejnë edhe për antarët e komisioneve si dhe vëzhguesit e kandidatëve në garë. Gjana tha se deri më tani këtij procesi i janë nënshtruar vetëm anëtarët e sjellë nga kryetari në detyrë Lulzim Basha.

“Përfaqësuesit e kandidatëve të tjerë nuk kanë sjellë asnjë emër që do i përfaqësojë në 76 komisionet e votimit. Shehaj dorëzoi pardje një listë që pasie verifikuam rezultuan se askush prej tyre nuk ishte anëtar i PD, është një listë blof, e papranueshme të bëhen lojëra të kësaj natyrë. Asnjë emër nuk mund të shkojë në Komision pa u verifikuar nga Komisioni i PD, një njeri që ka shkuar të shoqërojë kandidatin për deputet të Murrizit apo Patozit, është i ditur që ka qenë në fushatë dhe s’mund të marrë pjesë”.

Por pjesë e votimit do të jenë të gjithë ata demokratë, të cilët edhe pse nuk e kanë emrin në lista disponojnë kartën e anëtarësisë.

“Nuk do u mohohet kjo e drejtë, por do ketë disa kushte dhe disa përjashtime”.

Të dielën, demokratët do të votojnë për kreun e ri të partisë që do t’i udhëheqë në opozitë për katër vite. Në garë janë kryetari në detyrë Lulzim Basha, Agron Shehaj, Fatbardh Kadilli dhe Edith Harxhi.

Tv Klan