Boçi: Gjyq politik, duan t’i fiket zëri opozitës

Komisioni i Votimit dhe Etikës përjashtoi për 10 ditë nga punimet e Kuvendit dhe seancat plenare të së hënës dhe të enjtes 8 deputetët e opozitës Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Luan Baçi, Ina Zhupa,  Tritan Shehu dhe Bledion Nallbati.

Votën e tyre socialistët e mbështetën në argumentin se në seancën plenare të 2 shkurtit këta deputetë bllokuan foltoren në mënyrë të koordinuar me njëri-tjetrin, duke pamundësuar vijimin e diskutimeve në kuvend, si dhe fyen kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Opozita e cilësoi mbledhjen nul pasi sipas saj kërkesa e socialistëve ishte jashtë afateve dhe kërkoi që media të ishte e pranishme. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga mazhoranca, çka i detyroi deputetët demokratë që ta transmetonin mbledhjen e komisionit përmes rrjeteve sociale.

Jashtë Kuvendit deputetët e përjashtuar e cilësuan vendimin e socialistëve gjyq politik ndaj opozitës, për të mbrojtur Kryeministrin Rama nga ajo që demokratët e cilësojnë afera “McGonigal”.

Ky vendim i marrë nga socialistët vjen pak ditë pas përjashtimit që iu bë kreut të demokratëve Sali Berisha dhe 4 deputetëve të opozitës, të cilët bllokuan për disa orë foltoren e parlamentit.

Tv Klan