Kuvendi përjashton 10 ditë Berishën dhe 4 deputetë të PD
“Krijuan kaos dhe bllokuan seancën plenare”
Sali Berisha, Flamur Noka, Belind Këlliçi, Edmond Spaho dhe Edi Paloka janë përjashtuar 10 ditë nga mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe seanca plenare.
Vendimi u mor nga Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën pas kërkesës së bërë nga Partia Socialiste lidhur me bllokimin që opozita i bëri të enjten foltores së Kuvendit.
Në kërkesën e firmosur nga 7 deputetë socialistë thuhet se Berisha, Noka, Këlliçi, Spaho dhe Paloka u sollën në mënyrë të pahijshme dhe jo etike, duke penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare dhe duke shkaktuar kaos në Kuvend.
Të enjten parlamenti u përfshi nga debate lidhur me hetimin e FBI-së për ish-shefin e kundërzbulimit Charles McGonigal, i cili rezulton se është takuar disa herë me kryeministrin Rama.
Opozita kërkoi një interpelancë me kreun e qeverisë, i cili nuk ishte në seancë dhe bllokoi foltoren, duke akuzuar Ramën se ka korruptuar ish-zyrtarin e FBI-së për të luftuar Partinë Demokratike.
Tv Klan