Divorci i Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, e më pas arrestimi i këtij të fundit janë dy prej ngjarjeve më të bujshme të lidhura me ish-presidentin. Në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi u pyet si i ka përjetuar ajo, por biseda vijoi edhe te fëmijët e tyre.
Kryemadhi tha se divorci ka ngjallur keqardhje te ta, por duke qenë të rritur do të ecin përpara. E njëjta gjë nuk vlejti për arrestimin, që edhe vetë më herët e cilësoi ”rrëmbim”. Ajo tha se fëmijët e kanë vuajtur arrestimin e babait të tyre, por shprehu njëfarë optimizmi duke zbuluar “një të mirë” që ka sjellë kjo rrethanë për ta.
Blendi Fevziu: Si e kanë përjetuar fëmijët divorcin dhe më pas arrestimin e Metës?
Monika Kryemadhi: Divorcin mendoj që e shikojnë si një… sigurisht që iu vjen shumë keq se në shtëpi nuk kanë parë asnjëherë asnjë lloj konflikti, por janë të rritur tashmë, jeta vazhdon, do të ecin përpara. E rëndësishme është që të jenë të shëndetshëm në shëndetin e tyre mendor, por edhe fizik. Arrestimin e babait të tyre sigurisht që e kanë vuajtur jashtëzakonisht shumë. Unë kam qenë gjithmonë, jam munduar për të pasur një lloj kontakti edhe më të afërt me ta, për t‘iu gjendur afër dhe për të parë një anë tjetër të Ilir Metës. Vetëm një gjë ka të mirë arrestimi i Ilir Metës që dua ta them për hir të së vërtetës, që fëmijët kanë njohur babain e tyre sepse për më shumë se 10-15 vjet nuk kanë pasur shansin që Ilir Metën ta takonin kaq shpesh, një herë në javë nga 2-3 orë dhe të diskutojnë për problematika nga më të ndryshmet kaq shumë se nuk të linin kohë këta kërmijtë dhe vemjet që merrnin kohën e fëmijëve.
Blendi Fevziu: Ju keni kërkuar ta takonit?
Monika Kryemadhi: Jo.
Blendi Fevziu: S’keni dashur?
Monika Kryemadhi: Jo. Unë e kam mbyllur epokën time me Ilir Metën si Monika Kryemadhi./tvklan.al