Mjekët: Të sëmurët kronikë të frekuentojnë lartësitë

Ditëve të fundit, kushtet klimatike, pa erë dhe mjegulla e dendur kanë përkeqësuar problemin me ndotjen e ajrit. Nëpër shumë qytete dhe vendbanime pamjet janë kësisoj. Nga ana tjetër, po të ngjitesh lartësive mbidetare, mbretëron një mot me diell dhe i këndshëm, kurse fushëgropat marrin pamjen e një liqeni.

Mjekët u rekomandojnë të sëmurëve kronik, veçanërisht të atyre me probleme respiratore dhe sëmundje të zemrës që tia mësyejnë maleve dhe viseve më të larta. Ata ngrenë edhe shqetësime për ajrin e ndotur, smogun dhe mjegullën.

Në raportin e fundit të Programit të OKB-së për Ambientin Jetësor, thuhet se në Sarajevë gjenden koncentrimet më të mëdha të ndotjes së ajrit në Evropë, derisa njerëzit që jetojnë në Ballkanin Perëndimor, për shkak të ndotjes së ajrit, mesatarisht humbin mbi një vit nga jeta e tyre.

Në rajon koncentrimet e larta të grimcave toksike në ajër janë tipike gjatë dimrit, për shkak se këto vende, në masë të madhe varen nga elektranat që punojnë me thëngjill dhe ku qarkullojnë automjete të vjetra kurse për ngrohje shfrytëzohen drunjtë dhe thëngjilli.

Ekspertët kanë paralajmëruar se çështjet dhe dukuritë që lidhen me ambientin jetësor madje mund t’i pengojnë përpjekjet e Serbisë dhe vendeve tjera të Ballkanit për anëtarësim në BE. 

Tv Klan