Autoritetet njoftojnë për rritje me 56.4% të infektimeve nga Covid-19

Në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 721 raste të reja me COVID-19, 9 viktima dhe 1.753 pacientë të shëruar.

Në total numri i infektimeve ka shkuar në 105.269, kurse i viktimave në 3.165, ndërkohë që aktualisht janë 8.162 raste aktive.

ISHP-ja në Maqedoninë e Veriut duke publikuar një raport javor njoftoi për rritje të infektimeve të reja për 56.4% krahasuar me javën paraprake. Një pjesë e madhe e të infektuarve të rinj i takojnë moshës nga 30 deri 39 vjeç. 

Gjithashtu MSH-ja ka njoftuar edhe për rritjen e të hospitalizuarve nëpër covid-qendrat e vendit. Raportohet për 787 pacientë të shtruar nëpër spitale.

Autoritetet e shëndetësisë janë në pritje të rezultateve nëse në vendin tonë mund të detektohet prania e virusit jugafrikan.

Njëri prej dy bashkëshortëve që kishin qenë në Zanzibar të Afrikës ishte detektuar me virusin britanik, virus i cili thuhet se është shkaktari kryesor i rritjes së infektimeve në disa qytete, kurse pritet edhe rezultati i dytë nga ekzaminimet që bëhen në laboratorin e Akademisë maqedonase të shkencave.  

Autoritetet e shëndetësisë nuk kanë përjashtuar mundësinë e ashpërsimit të masave nëse shifrat vijojnë të jenë të larta dhe nëse mbushen kapacitetet e spitaleve.

Klan News