Evakuohen pacientët në zonën e Aleksandrupolit, disa vende te huaja kanë ofruar ndihmë

Zjarret vijojnë për të katërtën ditë rradhazi në Greqi.

Në 24 orët e fundit janë evidentuar 64 vatra aktive zjarri në të gjithë shtetin fqinj.

Situata më alarmante mbetet në veri në zonën e Aleksandrupolit, ku autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e disa fshatrave.

Autoritetet greke bëjnë me dije se 65 pacientë në Spitalin Universitar të Aleksandrupolis janë evakuuar si masë paraprake. Pacientet janë akomoduar në portin e qytetit në disa tenda si dhe një pjesë në një traget.

Qindra zjarrfikës janë përpjekur të frenojnë zjarrin që shpërtheu të shtunën dhe u përhap me shpejtësi i favorizuar nga erërat e forta, por banorët ankohen se autoritet nuk kanë vepruar në kohë.

“Tragjikja është se në orën tetë e gjysmë të mëngjesit kur u ktheva nga puna nuk kishte tym, nuk kishte zjarrfikës. Nëse do të ishte vepruar më herët gjërat do të kishin qenë shumë ndryshe.”

Disa komunitete në rajonin më të gjerë të Evros, pranë kufirit me Turqinë, janë evakuuar pasi autoritetet paralajmëruan se rreziku i zjarreve të reja shkatërruese  mbetet i lartë në ditët në vijim.

Qindra zjarrëfikës janë duke luftuar me flakët edhe në Rodopi, Kavala, Viotia, Evia dhe Qithno. Të hënën dy zjarrëfikës morën lëndime në përpjekje për të shuar zjarret që shpërthyen në qytetin e Kavalas.

Për të ndihmuar në shuarjen e flakëve Franca, Qiproja dhe Rumania kanë dërguar përforcime.

Klan News