Miq e të afërm kanë përkujtuar në 100-vjetorin e lindjes, figurën e mësueses dhe nënës së përkushtuar Evanthi Ciko. Evanthi Ciko është një emër i njohur në arsimin dhe edukimin në Shqipëri. Ajo ka patur një karrierë shumë gjerë ku rriti breza të tëra nxënësish duke u bërë një ndër “Nënat” më të dashura në  Shtëpinë së Fëmijës  në Tiranë.

Jo vetëm kaq, por Ciko u angazhua edhe në Radio Tirana, si një ndër spikeret e para të atij institucioni për të prezantuar programet e orëve të mbrëmjes nga viti 1941–1945.

Për kontributin e Evanthi Cikos, aktorja e mirënjohur Tinka Kurti, ka përjetësuar figurën e nënës në filmin artistik shqiptar “Si gjithë të tjerët”. Ky film i kushtohet tërësisht punës së palodhur të kësaj  nëne dhe edukatoreje me fëmijët jetimë.

Personalitete të pranishëm në këtë 100 vjetor të organizuar nga Instituti i Integrimit të Jetimeve, lartësuan figurën e Evanthi Cikos si dhe atë që ajo la pas.

Më 20 Maj 2010, ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordon Evanthi Cikos “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Për punë plot përkushtim me fëmijët jetimë, duke u bërë model i shkëlqyer dhe shembull i madh frymëzimi për të gjithë gjeneratat e edukatorëve dhe drejtuesve të këtyre institucioneve në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror”.

Klan Plus