Policia mobilizon 5 mijë forca, priten protesta

Policia greke ka mobilizuar në Athinë më shumë se 5000 forca për të ruajtur sigurinë në prag të përkujtimit të revoltës studentore të vitit 1973.

Revolta studentore që kulmoi më 17 Nëntor 1973 në Universitetin Politeknik të Athinës, solli pas disa muajsh rrëzimin e juntës së kolonelëve që sundonte që nga viti 1967.

 Por ajo që do të duhej të ishte festa e madhe e demokracisë, shoqërohet çdo vit me trazira të dhunshme.

Protesta që nis nga Universiteti Politeknik, përfundon para ambasadës amerikane dhe shpeshherë precipiton në përleshje midis anarkistëve dhe forcave të rendit.

Nuk besohet që sivjet të jetë ndryshe dhe e diela parashikohet të jetë një ditë mjaft e tensionuar.

Policia greke ka hartuar një plan të posaçëm sigurie, ku përveç uniformave blu, do të përdoren edhe policë me veshje civile, ndërsa do të kufizohet qarkullimi i mjeteve në disa prej rrugëve kryesore.

Dy dronë dhe një helikopter do të dërgojnë vazhdimisht pamje në qendrën operative të policisë, e cila thotë se do të reagojë në mënyrë të rrufeshme.

Forca të shumta policore do të ruajnë për tri ditë objektet qeveritare, ambasadat dhe universitetet.

Deri para pak ditësh, policia nuk kishte të drejtë të ndërhynte në brendësi të universiteteve, që konsiderohet se anarkistët i përdorin si baza të tyre.

Por qeveria Mitsotakis e shfuqizoi ligjin mbi azilin universitar dhe kjo ka shkaktuar zemëratë për shumicën e unioneve studentore. 

Tv Klan