Situata në kufi sa vjen e përkeqësohet dita-ditës

Emigrantët e bllokuar në Bjellorusi janë përleshur me ushtarët polakë në kufirin mes dy vendeve.

Ata kanë hedhur gurë dhe sende të forta tek rojet e armatosura rëndë, të cilët janë kundërpërgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.

Kriza e emigrantëve e ka detyruar BE-në të vendosë sanksione të tjera kundër Bjellorusisë, të cilën e akuzon për përpjekje për të destabilizuar bllokun duke shtyrë emigrantët përtej kufirit në mënyrë ilegale.

Pamjet e shpërndara nga një zëdhënës i qeverisë polake dhe Ministria e Mbrojtjes tregojnë  një përshkallëzim të krizës në kufi, ku emigrantët janë mbledhur në anën bjelloruse.

Sipas autoriteteve polake, më shumë se 20,000 trupa po forcojnë sigurinë në kufi. Nga përleshjet e dhunshme ka mbetur i plagosur rëndë një polic. Rreth 4,000 emigrantë që gjenden afër kufirit thonë se autoritetet bjelloruse nuk po i lejojnë ata të kthehen në Minsk.

Mijëra njerëz, kryesisht nga Lindja e Mesme, janë vendosur në kampe të improvizuara në kushte tejet të vështira.

BE thotë se Bjellorusia po inkurajon emigrantët të kalojnë kufirin në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e mëparshme pas zgjedhjeve presidenciale në Gusht 2020, kur Lukashenko shpalli fitoren, pavarësisht akuzave nga opozita dhe perëndimi se zgjedhjet ishin të manipuluara. Por Bjellorusia i ka quajtur këto akuza absurde.

Klan News